Fiks fare
Shteti nuk kontrollon paratë që marrin kujdestarët e invalidëve për përkujdesje
Një invalid 70 vjeçar mbahet “i burgosur” brenda katër mureve të një ndërtese, që më shumë i ngjan një kasolleje se sa një banese.
Çdo ditë kujdestari i tij i sjell gjysmë buke dhe dy gota kos. Ky është ushqimi i tij për gjithë ditën.
Kjo është historia e 70-vjeçarit Musa Maluka. Pa fëmijë e të afërm të tjerë, i verbër, ka përfituar statusin e invalidit. Është strehuar në një ndërtesë përdhese, prapa Ministrisë së Drejtësisë. Një banor i Tiranës, Agim Lamçe, ka fituar të drejtën të kujdeset për të, madje merr edhe një pagese prej 12 mijë lekësh të reja në muaj që të kujdeset për 70-vjeçarin. I vetmi shërbim që i ofron ai si kujdestar plakut të verbër është bukë thatë dhe kos, asgjë tjetër. Ushqimin e ditës (bukën dhe kosin) ia sjell një herë në ditë, në orën 5.00 të mëngjesit.
Banorët e asaj zone shohin çdo ditë plakun të vuajë mes pisllëkut dhe mjerimit, por nuk mund ta ndihmojnë. Kur sëmuret, rënkon nga dhimbjet dhe kërkon ndihmë, por asnjë nga fqinjët e tij nuk mund ta ndihmojë për ta çuar në spital. Kujdestari, i caktuar nga shteti, e mbyll me çelës dhe plaku 70-vjeçar nuk mund të lëvizë. Në banesë nuk ka asnjë orendi, përveçse një krevati të shkatërruar, një tavoline të vjetër. Jeton mes mizave dhe minjve. Askush nuk e pastron apo e ndërron.
Hera e fundit që ka dalë nga dhoma ka qenë një vit më parë, kur një banor i lagjes e kishte çuar te berberi. Një banor i lagjes, është ankuar në polici dhe në Njësinë bashkiake nr 9 të Tiranës për gjendjen në të cilën jeton plaku 70-vjeçar, por askush nuk është interesuar për të verifikuar nëse kujdestari i caktuar nga shteti e kryen detyrën për të cilën paguhet.
“Fiks fare” priti disa ditë përpara banesës ku mbahej i mbyllur 70-vjeçari i verbër. Një mëngjes rreth orës 05.30 erdhi kujdestari i tij. Si gjithmonë, kreu ritualin, la në tavolinën e vjetër kosin dhe bukën. Përpara kamerës tregon se kujdeset për plakun, ndërkohë që vetë i verbri tregon për “Fiks fare” se është duke vuajtur në mes të mjerimit, se merr nga kujdestari vetëm 7 mijë lekë pension, ndërkohë që kujdestari i tij, i shtrënguar nga prania e kamerës, pranon se plaku përfiton 17 mijë lekë pension mujor dhe pension invaliditeti. Pra, 10 mijë lekë të tjera invalidi i verbër nuk e dinte që i përfitonte.
Pas interesimit të gazetarëve të “Fiks fare” në zyrat e Shërbimit Social Shtetëror dhe në Njësisë bashkiake nr 9 të Tiranës, 70-vjeçari i verbër u strehua në shtëpinë e të moshuarve të Kavajës.
