Biznesmeni Aurel Hoxha akuzohet se është urdhërues i rrëmbimit dhe vrasjes së Klevis Lleshit, 24-vjeçarit që u gjet i groposur në Mamurras rreth 2 vite e gjysmë pas zhdukjes së tij.
Aurel Hoxha dyshohet se ka marrë hak për vrasjen e vëllait të tij Agim Hoxha, në vitin 2012 në Angli. Ai u gjet i vrarë dhe i djegur në makinën e tij. Për këtë ngjarje u dënua me 32 vite burg Arben Lleshi, mik dhe bashkëpunëtor i viktimës në Londër. Pas kësaj, fisi Hoxha nisi hakmarrjen ndaj pjesëtarëve të familjes Lleshi.
Në vitin 2013 u vra babai i Klevis Lleshit, Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u ekzekutua edhe xhaxhai i tij, Hajredin Lleshi. Po atë vit u zhduk edhe një kushëri i Klevisit, Artan Lleshi. Ndërkohë, në 2020 zhduk Klevis Lleshi dhe trupi i tij do të gjendej rreth 2 vite e gjysmë më pas, i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit. Ndërkohë, në vitin 2023 do të ekzekutohej në burgun e Peqinit Arben Lleshi.
Sa i përket vrasjes së Klevis Lleshit, aktualisht në pranga raportohet se ka rënë 1 person, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. “RENEA”-t po zhvillojnë sot një aksion në Tiranë, në Kamëz por edhe në zonën e Mamurrasit.