Tiranë


Viktima – Mark Shkreta u qëllua me dy plumba, një në kokë dhe një në trup, sapo doli nga shtëpia, ku fshihej që pas vrasjes së të miturit


Kushëriri – Jetmir Llani dyshohet se u njoftua nga një kushëri në Tiranë, se ku fshihej babai i dy të arrestuarve për vrasjen e djalit të tij


Autori – 32-vjeçari mendohet se e ka ruajtur të moshuarin, derisa ka dalë nga shtëpia dhe më pas është larguar me një fuoristradë të zezë


Jetmir Llani vret me dy plumba babanë e dy autorëve


Mark Shkreta mendohet se u njoh nga një kushëri i Llanit, i cili njoftoi për të marrë hakun e 9-vjeçarit


Bledi Gilaj


Vetëm katër ditë pasi ka kujtuar të “dyzetat” e djalit 9-vjeçar të vrarë në Mamurras, babai i viktimës dyshohet se është hakmarrë duke vrarë në Tiranë të atin e dy autorëve të arrestuar për ekzekutimin e të miturit. Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në mëngjes, kur me dy plumba u ekzekutua Mark Shkreta, i cili që prej ditëve të para të qershorit, kur u vra i mituri Endri Llani, u fsheh në Tiranë, pasi e dinte se familja e fëmijës së vrarë nga dy djemtë e tij, do të hakmerrej. Ai mendohet se është dalluar dhe vendstrehimi i tij është zbuluar nga një kushëri i babait të fëmijës. Kushëriri informator është shoqëruar në polici, ndërkohë që babai i fëmijës, Jetmir Llani, i dyshuar për vrasjen e djeshme, është shpallur në kërkim.


Vrasja në rrugë


Policia tha se ngjarja është regjistruar rreth orës 06.30, në rrugën “Hoxha Tahsim” pranë farmacisë nr. 5, ku ka mbetur i vrarë me pistoletë, Mark Llesh Shkreta, 71 vjeç, banues në Mamurras. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe ato të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, ku u formua grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, duke pyetur persona që kanë dijeni për këtë ngjarje. Në vendngjarje u krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u sekuestruan dy gëzhoja. Sipas të dhënave policore, viktima është babai i autorëve Oligert dhe Maringlen Shkreta, të cilët janë arrestuar për vrasjen e 9-vjeçarit Endri Llani dhe plagosjen e xhaxhait të tij, ngjarje e ndodhur më 5 qershor në Mamurras.


Kushëriri i autorit


Policia tha se nga hetimet paraprake dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është Jetmir Llani, 33 vjeç, banues në Mamurras, babai i fëmijës së vrarë në Mamurras. “Vrasja dyshohet se është kryer për motive të hakmarrjes, pasi para dy muajsh në Mamurras, djemtë e viktimës, i kanë vrarë Jetmir Llanit djalin 9 vjeç, si dhe i kanë plagosur vëllain. Më tej, grupi hetimor ka zbuluar se pas vrasjes, Mark Shkreta ishte larguar nga Mamurrasi dhe jetonte me qira në katin e pestë të një pallati, pranë vendit të ngjarjes. Por, në këtë lagje banonte edhe një kushëri i Llanit, i cili mendohet se e ka njohur Shkretën dhe e ka njoftuar babanë e fëmijës, i cili dje dyshohet se ka realizuar vrasjen. Në këto kushte, kushëriri i Llanit është shoqëruar bashkë me të shoqen në ambientet e Komisariatit nr. 1, të cilët janë pyetur në lidhje me këtë ngjarje dhe më pas janë lënë të lirë.


Ndjekja dhe njohja


Nga ana tjetër, grupi hetimor ka bërë rindërtimin e ngjarjes, ku mësohet se Jetmir Llani e ka ruajtur të moshuarin kur ka dalë nga shtëpia, i cili ka dalë nga rrugica për në rrugën “Hoxha Tahsim”. Aty mendohet se viktima e ka ndjerë rrezikun dhe ka përshpejtuar hapin, gati duke vrapuar, por mosha nuk e ka lejuar. Pikërisht pranë portës së një ndërtese të vjetër, autori i dyshuar e ka arritur dhe e ka qëlluar me një plumb në trup dhe më pas me një plumb në kokë, duke e lënë të shtrirë në trotuar. Banorët e zonës, të shqetësuar nga krismat, kanë dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që kanë vënë re të dyshuarin, duke hipur në një makinë fuoristradë të zezë, e cila mendohet se ishte “Hammer”, me targa të huaja, që është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq, i moshuari ka ndërruar jetë në vend. Policia, e cila ka bërë identifikimin e të dyshuarit, ka dërguar menjëherë forcat e saj në fshatin Shpërdhet të Kurbinit, duke ushtruar kontroll në banesën e Llanit, por nuk e ka gjetur aty. Ndërsa më vonë, policia doli në deklaratë për shtyp, duke u shprehur se e kishte shpallur në kërkim si të dyshuar për këtë krim të rëndë.


 


 


Mamurras


Atentati, ku mbeti i vrarë 9-vjeçari


Pasditen e 5 qershorit, tre pjesëtarë të familjes Llani ishin duke lëvizur me makinë nga Mamurrasi për në banesën e tyre në fshatin Shpërdhet. Pak metra larg vendit të quajtur “Ura e Drojës” (në afërsi të kthesës së Bushneshit), automjeti me të cilin udhëtonin është qëlluar me breshëri automatike. Dy vëllezërit Shkreta, që kishin zënë pusi buzë rrugës, kanë qëlluar nga ana e drejtuesit të veturës, Muharrem Llani, i cili ishte dhe shënjestra e atentatit. Plumbat kanë plagosur rëndë 62-vjeçarin dhe nipin e tij 9 vjeç që ndodhej në sediljen e parë të automjetit, në prehrin e nënës së tij, i cili më vonë gjeti vdekjen. Atentatit i ka shpëtuar mrekullisht nëna e të miturit, e cila është terrorizuar nga skena makabër. Krismat e armës alarmuan banorët e zonës, të cilët sinjalizuan policinë për ngjarjen. Pas marrjes së dëshmive të para, ka rezultuar se Muharrem Llani dhe vëllai i tij kanë rrahur barbarisht dy vëllezërit Shkreta. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Mamurrasit. Fillimisht, vëllezërit Llani kanë debatuar ashpër me dy bashkëfshatarët e tyre që tregtojnë materiale ndërtimi me shumicë në Mamurras. Më pas, sherri ka degjeneruar në përleshje mes palëve. Pikërisht kjo ngjarje bëri që blutë të zbulonin se autorët e atentatit ishin vëllezërit Shkreta. Të dy vëllezërit janë arrestuar pas krimit.