GJKKO ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim ish-shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi.
Preçi u deklarua fajtor nga GJKKO për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mësohet se me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë vetëm 2 vite e 4 muaj burgim nga 3 vite e 6 muaj që u dënua fillimisht.
Preçi kërcënoi me vënie gjobe pronarin e një lokali nate në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, duke i kërkuar 20 mijë euro. Në muajin shkurt Prokuroria e Posaçme, SPAK përfundoi hetimet dhe dorëzoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për dërgimin në gjyq të ish-shefit të Sektorit të Narkotikëve në policinë e Durrësit, Gazmir Preçi.
SPAK njoftoi se nga hetimet ka rezultuar se Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shqiptarë e të huaj.



