Është zbardhur brenda 48 orëve ngjarja e ndodhur në lagjen “Lef Sallata” në Vlorë, ku një apartament u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit.

Policia ka arrestuar një 33-vjeçar, i cili dyshohet se i vuri zjarrin derës së banesës për motive konkurrence me pronarët, pasi ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve.

Nga zjarri pati vetëm dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa në banesë ndodheshin vëlla e motër, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime.

NJOFTIMI:

Vlorë/Zbardhen brenda 48 orëve, autorësia dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje e cila fillimisht u dyshua aksidentale.

I vuri zjarrin apartamentit në orët e para të mëngjesit, ku ndodheshin 2 shtetas (vëlla e motër), për motive konkurrence, identifikohet dhe arrestohet 33-vjeçari.

Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale të konsiderueshme në banesë.

Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 02:40 të datës 04.08.2026, se po digjej një apartament në lagjen “Lef Sallata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë shkuan në vendngjarje, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Si rezultat, 48 orë pas kryerjes së krimit, u mundësuan identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 33 vjeç.

Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.