Një 45-vjeçar është arrestuar nga Policia e Cërrikut, pasi dyshohet se i ka vënë qëllimisht zjarrin një supermarketi në lagjen nr. 3 të qytetit.

Ngjarja është raportuar rreth orës 07:30 të mëngjesit të 8 tetorit. Pas marrjes së njoftimit për zjarrin, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e autorit.

Brenda pak orësh, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. M., 45 vjeç, banues në Cërrik, i cili dyshohet se është personi që ka shkaktuar zjarrin.

Si pasojë e flakëve janë dëmtuar dhe djegur produkte të supermarketit, ndërsa është vënë në rrezik edhe jeta e punonjësve që ndodheshin brenda subjektit në momentin e ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.