Nëntë alpinistë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë të humbur si pasojë e një orteku që i zuri poshtë gjatë ngjitjes së tyre në një majë të Himalajave.


Sipas asaj që raportojnë autoritetet vendase, një grup alpinistësh me kombësi të ndryshme ku bënin pjesë francezë, gjermanë dhe italianë, ishin pranë mbërritjes në majën e malit Manaslu (8 156 metra) në momentin që një ortek i rënë gjatë mbrëmjes së djeshme i ka zënë poshtë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të 9 prej tyre, ndërkohë që disa rezultojnë ende të zhdukur.


“Nëntë trupa u gjetën në mal duke përfshirë një nepalez dhe një alpinist gjerman”, deklaroi një zyrtar lokal i policisë.


Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar numrin e alpinistëve gjatë aksidentit, për të siguruar një numër të saktë të viktimave.


23 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)