Prej pesë ditësh, një familje shqiptare në Itali po përjeton momente të vështira ankthi, pasi djali i tyre 27-vjeçar, Erdin Selimi, është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
I riu, banues në Montichiari , në provincën e Breshias, është larguar nga banesa në mëngjesin e 23 prillit me automjetin e tij, por nuk ka mbërritur kurrë në vendin e punës. Kjo ka ngritur menjëherë shqetësimin e familjarëve, të cilët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve.
Sipas të dhënave, telefoni i tij celular është fikur që prej asaj dite. Sinjali i fundit është regjistruar në zonën e Dezenzanos, dhe që prej atij momenti nuk ka më asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Familjarët kanë bërë kallëzim në polici dhe njëkohësisht kanë shpërndarë apel në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e kujtdo që mund të ketë dijeni. Ata theksojnë se çdo informacion, sado i vogël, mund të ndihmojë në gjetjen e tij.
Ndërkohë, burime nga hetimet bëjnë me dije se po verifikohen disa mundësi, përfshirë edhe atë të një largimi të qëllimshëm, por deri tani nuk ka asnjë zhvillim konkret.
Kërkimet nga autoritetet italiane vijojnë intensivisht, ndërsa familja pret me shpresë çdo lajm që mund të çojë në gjetjen e 27-vjeçarit dhe kthimin e tij të sigurt në shtëpi.
