Një ngjarje e rëndë u regjistrua dy ditë më parë në Neos Kosmos, Greqi, kur një 29-vjeçar shqiptar vrau për vdekje një 58-vjeçar pas një grindjeje që ndodhi në rrugë. I dyshuari pranoi autorësinë pas arrestimit, por tha se nuk kishte pasur qëllim të vraste viktimën dhe përshkroi dinamiken e ngjarjes.

Ngjarja filloi kur dy shoferë, autori dhe viktima, u grindën në rrugën “Frantzis”. Pas përplasjes verbale, 29-vjeçari e goditi 58-vjeçarin me grusht, por duket se konflikti u shtua kur viktima e ndoqi autorin, i cili ishte në motor. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, 58-vjeçari e quajti autorin “idiot” dhe e sfidoi, duke e thirrur nga dritarja e makinës.

29-vjeçari, i irrituar, e spërkati me sprej piperi viktimën, duke e ndjekur më pas me motor. Pas disa minutash, ai bllokoi makinën e viktimës në një qorrsokak të rrugës “Soulier”, ku e goditi me grushte dhe e rrahu për vdekje, duke e mbajtur kokën pas xhamit të makinës.

Policia ka marrë dëshminë e një dëshmitari kyç, që pa momentet e fundit fatale të ngjarjes. Dëshmitari rrëfeu se kishte dëgjuar fishkëllimën e motorit dhe kishte zbretur për të parë se çfarë ndodhi. Ai dëshmoi se pas përplasjes verbale dhe goditjes me grusht, viktima u qetësua dhe kërkoi falje, por ngjarja përshkallëzoi dhe çoi në goditjen fatale.

I dyshuari, pas arrestimit, tha se nuk kishte pasur qëllim të vrasë, por se kishte reaguar impulsivisht për shkak të grindjes. Ai gjithashtu tha se nuk kishte pasur asnjë plan për të krijuar një situatë të dhunshme.

Pas ngjarjes, babai i autorit dhe dy shokë të tij, që ishin të pranishëm gjatë incidentit, janë arrestuar për përpjekje për të fshehur provat, përfshirë motoçikletën e të riut. Policia po heton lidhur me rolin e secilit person të përfshirë dhe përpjekjet për të fshehur evidencat e ngjarjes.

Aktualisht, hetimet vijojnë dhe autoritetet po merren me zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes, ndërsa i dyshuari do të përballet me akuzën për vrasje./Prohothema