Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar sot 3 mln euro pasuri noteres Sanja Telhallari, pasi dyshohet se janë përfituar përmes burimeve kriminale.

Por si nisën hetimet për noteren? Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat bën me dije se hetimet kanë nisur pas denoncimit që noterja 35-vjeçare kishte bërë në polici, se kishin tentuar që ti vidhnin mjetin luksoz, “G Class”.

Njoftimi i prokurorisë sot:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases Sanja Telhallari me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, 35-vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në një kompleks. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme. Prokurori i çështjes ishte Ndini Tavani, teksa vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.

Top Channel