Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në qytetin e Vlorës, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe duke vënë në vështirësi dhjetëra familje.
Mes kaosit të krijuar, spikat rrëfimi i një banori të moshuar, i cili tregon se është lënë tërësisht në mëshirë të fatit. Petriti, një banor i zonës së Bishanit, përshkruan një situatë dramatike. Banesa e tij është përmbytur plotësisht nga uji, i cili ka shkaktuar, sipas tij, “një dëm të paparë”. Më e rëndë akoma është situata e tij familjare.
Ai jeton me bashkëshorten e sëmurë dhe të paralizuar, të cilën iu desh ta ngjiste i vetëm në katin e dytë të shtëpisë për t’i shpëtuar jetën nga vërshimi i ujit. Me zërin që i dridhet nga hidhërimi, ai shprehet se askush nga institucionet nuk i ka ofruar ndihmë. “I bëra me dorë makinës së policisë, por askush nuk erdhi”, thotë ai, duke treguar se përpjekjet e tij për të kërkuar ndihmë kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Fare!”, përgjigjet ai kur pyetet nëse ndonjë autoritet është interesuar për gjendjen e tyre.
Ndjenja e braktisjes është e thellë. “Deri tani nuk më ka pyetur njeri: je i gjallë apo je i vdekur? Je shqiptar apo je serb?”, shprehet i moshuari, duke artikuluar një zhgënjim të thellë me mungesën totale të mbështetjes shtetërore. Rasti i tij nxjerr në pah jo vetëm pasojat shkatërruese të përmbytjeve, por edhe dramën njerëzore të atyre që ndihen të padukshëm dhe të harruar në momente të vështira si ky i situatës ku është vendi në këto kohë.
Gazetari: Pra, janë bërë dëm, ju ka ardhur uji në banesë.
Banori: Më ka ardhur ujë, ka bërë një dëm të paparë. Megjithatë, një interesim, një, më the thashë, bile i ja bëra me dorë makinës së policisë…lesht…
Gazetari: S’erdhi askush t’ju ndihmonte?
Gazetari: Jeton vetëm apo?
Banori: Kam gruan të sëmurë të paralizuar.
Gazetari: Ka ardhur dikush ta shikojë bashkëshorten që e keni të sëmurë, të dy të moshuar?
Banori: Ajo është në kat të dytë. E, i kisha këtu, në orën 1:00, pastaj e ngrita kalipeçi. Pa ekzagjerim, e kam ngritur kalipeçi. Më mirë mos të flas se…
Gazetari: E kuptoj. Pra, edhe pse jeni në këtë situatë, askush nuk ka ardhur të shikojë Petritin që në çfarë gjendje është?
Banori: Po fare! E di sa vajti uji këtu? Pra, deri aty lart erdhi uji. Deri tani nuk më ka pyetur njeri: je i gjallë apo je i vdekur? Je shqiptar apo je serb, a çfarë mund të thuash, nuk di të flas. Më mirë mos të flasësh se s’të dëgjon njeri. Pastaj, ne dorë e tretë, jemi sot për nesër.
