
Në harkun kohor të pak ditëve janë shënuar katër raste pedofilie në Shqipëri, duke bërë që Policia me strukturat e saj duhet të gjejë mundësinë dhe mekanizmat për të qenë në misionin e saj të parandalimit të krimit.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka pësuar vazhdimisht ndryshime duke përfshirë figura të reja të veprave penale në kreun e krimeve seksuale.
Ndërkohë, lidhur me strategjitë e ndërhyrjes për të parandaluar sjellje të tilla kriminale si dhe rintegrimin në shoqëri të të dënuarve, nga ana e legjislatorit dhe aktorëve të tjerë nuk është bërë asnjë hap thelbësor. Kjo, në një kohë kur nevoja për siguri publike është shtuar.
Tashmë parandalimi i abuzimit seksual ndër të tjera edhe përmes mbikëqyrjes së të dënuarve seksualë duhet të shihet si çështje që i shërben të mirës publike dhe të gjithë profesionistët duhet të aftësohen në këtë drejtim.
Ka ardhur koha që tashmë në Shqipëri të zhvillohet një debat dhe të implentohen politika të caktuara, që e vendosin theksin tek arsyet përse persona të caktuar përfshihen në krime seksuale dhe se çfarë duhet të bërë për të menaxhuar/mbikëqyrur këta shtetas për të mos u ripërfshirë në akte të tilla si dhe sa duhet të kufizohen të drejtat e tyre për mbrojtjen e interesit publik.
Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë është shkruar një kapitull i tërë për krimet seksuale, ato me dhunë, e të kategorizuara në nenet përkatëse. Në nenin 107/a ushtrimi i dhunës seksuale, nëpërmjet kryerjes së veprimeve me natyrë seksuale në trupin e një personi tjetër me objekte, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve të moshës katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjeç dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kjo nuk ka ndodhur dhe nëse po rastet janë sa gishtat e njërës dorë.
Ndërsa në nenin 108 përfshirja e qëllimshme si dëshmitar, në veprime me natyrë seksuale, e një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo i një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Në një raport të pak muajve më parë të një organizate joqeveritare doli se të paktën 98 persona të cilët kanë kryer krime seksuale me të miturit kanë rifituar lirinë, por asnjë prej tyre nuk është identifikuar nga drejtësia si pedofil e nuk është trajtuar me mjekime përgjatë apo pas dënimit të kryer në dhjetë vitet e fundit, duke u kthyer sërish në një kërcënim për fëmijët përreth vendbanimeve të tyre në gjithë territorin e Shqipërisë.

Qytetet më të rrezikuara janë Tirana, Durrësi, Elbasani e Korça ku banojnë 61 pedofilë që kanë shlyer dënimin. Nga këta, 41 kanë konsumuar veprën e marrëdhënieve seksuale me të mitur, tetë prej të cilëve me dhunë. Alarmi shumëfishohet kur mëson se Seksionet e Dhunës në Familje dhe Fëmijëve pranë Policive Vendore në qytetet e kërcënuara nuk kanë më shumë se dy oficerë që krahas çështjeve të tjera duhet dhe të mbikëqyrin grabitqarët seksual. Në Tiranë raporti i gjurmimit është 2 polic për 48 pedofilë të lirë.
Të dhënat për periudhën 2010-2019 janë siguruar në rrugë zyrtare nga të gjitha Gjykatat e Rretheve, Prokuroria e Përgjithshme, Policia por dhe aksesi në vendimet të cilët ndodhen online në sistemin ICMIS për gjykatat e rretheve dhe ARK-IT për Gjykatën e Tiranës.
Ky hulumtim ka nxjerrë në pah qasjen e gabuar të sistemit të drejtësisë në trajtimin e problematikës por dhe të strukturave të tjera shtetërore, të cilët nuk parandalojë, identifikojnë në kohë apo aplikojnë metoda mjekësore për pedofilët por “presin” dhe kujdesen vetëm për fëmijët-viktima.
Gjithashtu, është vërejtur se gjykatat dënojnë por nuk rehabilitojnë “grabitqarë seksuale”, të cilët, kanë prirje të kryejnë sërish të njëjtin krim me të miturit, për shkak të tipologjisë së pedofilisë si sëmundje mendore.
Në raportin e njëmbëdhjetë “Klasifikimi Botëror i Sëmundjeve”, botuar në prill të vitit 2019, OBSH-ja ka përditësuar konkluzionet shkencore mbi problemet shëndetësore, përfshi pedofilinë, duke e renditur atë si “sëmundje e çrregullimit psikik, pjesë e çrregullimeve parafilike”:
Pedofilia karakterizohet nga një dëshirë seksuale intensive dhe e vazhdueshme, e cila manifestohet nga mendime, fantazi, nxitje dhe sjellje seksuale, që përfshin fëmijët, vajza dhe djem, para pubertetit ose në pubertetin e hershëm.
Ajo që mund të evidentohet si problematike nga arsyetimet në vendimet e gjykatave shqiptare ka të bëjë me faktin se nga 16 krime seksuale prind-fëmijë, vetëm gjykata e Dibrës në vitin 2016, krahas dënimit të babait pedofil me 15 vite burg, ka dhënë një dënim plotësues për heqjen e përgjegjësisë prindërore prej tij.
Në 15 çështjet e tjera, përfshi edhe në tre rastet kur babai ka kryer marrëdhënie seksuale me fëmijët e tij të mitur, dhe një rasti kur nëna në bashkëpunim me njerkun kanë abuzuar seksualisht fëmijën, as prokuroria dhe as gjykata nuk ka kërkuar heqje të përgjegjësisë prindërore, si dënim plotësues.
Rasti më tronditës është ai i Ardian Prrenjasit, i njohur ndryshe nga mediat e kohës në vitin 2013 si “monstra i Laprakës”. Ai është rasti më domethënës që vërteton se organet e drejtësisë dhe ato të policisë në Shqipëri, kanë dështuar në raport me trajtimin e rasteve të pedofilisë.
Përpara krimeve të rënda seksuale në Tiranë, Prrenjasi ishte dënuar më herët për të paktën tre vepra të tilla me të mitur, në Shqipëri dhe Greqi. Në vitin 1994 ai është dënuar me katër vjet burgim për veprën penale të “pederastisë” nga Gjykata e Librazhdit, pasi kishte kryer marrëdhënie homoseksuale me një fëmijë të mitur në qytetin e Prrenjasit.
Pasi vuajti dënimin me burgim, ai emigroi në shtetin Grek. Në fare pak kohë ai kreu një tjetër krim me të mitur ku u arrestua për veprën penale “Përdhunim në masë dhe armëmbajtje pa leje”, duke u dënuar me 14 vjet e gjashtë muaj burgim dhe u regjistrua si “person non grata”.
Por, rasti i “mostrës së laprakës” nuk është i vetmi. Për shkak të tipologjisë së krimit si një çrregullim mendor parafilik, abuzuesit kanë tendencën që të përsërisin vepra të tilla me të mitur, nëse ata nuk trajtohen.
Ndërkohë, Prokuroria e përgjithshme bën me dije se gjatë pesë vjetëve të fundit, Janar 2014- Qershor 2019, nga një numër i konsiderueshëm referimesh për nenin 117 të Pornografisë ku klasifikohen edhe çështjet e krimeve seksuale me të mitur, kanë nisur hetimet për 128 raste, nga të cilat 12 janë pushuar dhe vetëm dy janë dërguar në gjyq. Këto të fundit kanë përfunduar me një vendim dënimi.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.