Policia shoqëron anëtarët e një familjeje, por ende nuk është prerë asnjë urdhër-arresti
Grupi hetimor tha dje se të dyshuarit për këtë krim janë Sulejman, Behar, Hasan dhe Klodian Morina
Në mëngjes, Policia e Durrësit tha se është shoqëruar Sulejman Morina, por Tirana nuk e konfirmoi
Tiranë -Policia e Tiranës ka identifikuar katër pasagjerët që dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e fatorinos 17-vjeçar, Julian Çuni, me banim në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije identitetin e katër të dyshuarve, të cilët rezultojnë që të kenë të njëjtin mbiemër. Emrat e tyre janë identifikuar si Sulejman, Behar, Hasan dhe Klodian Morina, të cilët kishin hipur si pasagjerë në furgonin e linjës Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, në të cilin punonte Julian Çuni. Dy prej të dyshuarve, mësohet se janë shoqëruar në polici, ku u janë përgjigjur pyetjeve rreth asaj që ka ndodhur atë pasdite. Pas këtij procesi, ata janë lënë të lirë, pasi ende nuk ka prova të plota se cili prej tyre ka qenë autori i vrasjes së Julian Çunit, i cili humbi jetën nga plagët e marra nga goditjet me thikë. Sipas policisë, arrestimi i autorit ose autorëve do të bëhet brenda një harku shumë të shkurtër kohor, pasi janë drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes makabër. Gjithsesi ajo që dihet, është fakti se katër pasagjerët nga e njëjta familje kanë debatuar e ashpër me fatorinon. Para vrasjes, 17-vjeçari është dhunuar fizikisht dhe në fytyrë i janë shkaktuar shumë plagë. Nuk ka mjaftuar dhuna fizike që kanë ushtruar katër të dyshuarit në drejtim të fatorinos, por pas kësaj, ata e kanë qëlluar me thikë, ku një goditje ka qenë vdekjeprurëse. Sherri ka nisur brenda në furgon dhe vrasja është bërë jashtë tij, në momentin që pasagjerët kanë zbritur. Më pas janë larguar në drejtim të paditur me një mjet të rastit. Ndonëse shoferi me të cilin punonte, e ka transportuar direkt për në Spitalin Ushtarak, i riu nuk ka mundur të mbijetojë. Julian Çuni e kishte ditën e parë të punës me këtë shofer transporti, por profesionin si fatorino e kryente prej rreth katër vjetësh. Të ardhurat financiare që siguronte i përdorte për të mbajtur me bukë familjen e tij. Të dielën pasdite, ai përplaset me agresionin e katër pasagjerëve për një biletë 150 lekëshe. Pasagjerët, të cilët kishin hipur pranë Stacionit të Trenit, Tiranë, kanë kërkuar që të zbresin pranë “Zogut të Zi”. Para se të zbrisnin, fatorinoja u ka kërkuar që të paguanin biletat me 150 lekë secila, pasi nuk mund të shkonin bosh në Durrës, se nuk kishin leverdi. Pasagjerët janë çuditur me kërkesën e të riut dhe e kanë kundërshtuar ashpër. Gjendja ka degjeneruar me dhunë fizike dhe më pas, ai është qëlluar me thikë, ku gjeti edhe vdekjen. Pas kësaj ngjarjeje policia nisi zbardhjen e krimit, duke marrë në pyetje edhe shoferin e furgonit, me të cilin punonte viktima. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës, më 25 nëntor të këtij viti. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë në autostradë, të cilat janë sekuestruar nga policia. S. Muça
