Janë zbardhur identitetet e dy viktimave të aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur në fshatin Qyrkan, në Njësinë Administrative Gostimë të Bashkisë Cërrik.

Mësohet se si pasojë e përplasjes së fuqishme “kokë më kokë” mes dy automjeteve kanë humbur jetën Qemal Çala, 63 vjeç, dhe Drilon Tabaku. Të dy personat kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa automjetet e përfshira në aksident kanë pësuar dëmtime të rënda.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës së Mollasit. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e emergjencës, policia dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të përplasjes.

Paraprakisht dyshohet se goditja frontale ka qenë fatale për dy personat e përfshirë, ndërsa autoritetet po kryejnë ekspertizat për të sqaruar rrethanat që çuan në këtë aksident të rëndë.