Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Podujevë, ku humbën jetën 3 persona, Iliaz Brahimi, Ardita Gashi (autorja) dhe Miradije Gashi (bashkëshortja e xhaxhait të së resë).

Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi, që ka dashur të mbetet anonim, është prononcuar për mediat dhe në deklaratën e tij, ka mohuar disa prej versioneve që janë raportuar që nga mbrëmja e së dielës, kur edhe ka ndodhur rasti.

Ai ka thënë se si familje asnjëherë nuk kanë pasur telashe, por ka shtuar se nuk kanë  qenë në dijeni për lidhjen e Ardita Gashit, autorja e krimit me të ndjerin, Ilaz Brahimi, 45-vjeçar nga Obiliqi. Familjari ka dhënë detaje tjera lidhur me momentin kur 31-vjeçarja, pas aktit, ishte mbyllur në dhomë.

“Pasi e ka gjuajtur atë djalin, ka shkuar te gruaja e xhaxhait të vet. Ajo ka qenë bashkë me nusen dhe tre fëmijët. [Ardita] iu ka thënë të dalin jashtë sepse ka me bisedu diçka me Miradijen. Si kanë dalë nga dhoma, është dëgju krisma. Ne kemi vrapu menjëherë, e ajo është mbyll në dhomë të fëmijëve. Kur ka tentu me hy vëllai, ajo ia ka drejtuar vetes armën dhe i ka thënë largohu se të vrasë edhe ty”, u shpreh ai

Ai ka thënë se në rastin tragjik, 31-vjeçarja ka përdorur revole, duke hedhur poshtë pretendimet se e dyshuara ka qëlluar në drejtim të Brahimit dhe gruas së axhës me armë automatike.

Iliaz Brahimi ndërroi jetë në vendngjarje pasi u qëllua disa herë me armë nga Ardita Gashi, brenda makinës së tij. Ardita e kishte ftuar në shtëpinë e saj dhe sapo ai ka mbërritur e qëlloi me armë brenda makinës. Miradije Gashi ndërroi jetë në spital, pasi u plagos nga Ardita. 31-vjeçarja Ardita Gashi humbi jetën sot pasi ditën e djeshme qëlloi veten në kokë.