Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërmarrë një aksion të gjerë në zonën turistike të Valbonës, duke synuar prishjen e ndërtesave të ndërtuara pa leje në një prej zonave më të mbrojtura dhe të vizituara të veriut të Shqipërisë.

Pas shembjes së disa strukturave të paligjshme një ditë më parë, aksioni ka vijuar edhe sot, duke përfshirë prishjen e disa bujtinave, të cilat megjithëse kanë funksionuar prej vitesh, rezultonin të ngritura pa dokumentacionin ligjor të ndërtimit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se kjo ndërhyrje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndaluar shfrytëzimin e paligjshëm të territorit dhe për të mbrojtur peizazhin natyror të Parkut Kombëtar të Valbonës një nga destinacionet më të çmuara të turizmit natyror në vend.

IKMT thekson se ndërtimet pa leje, pavarësisht përdorimit apo kohëzgjatjes së tyre, nuk do të tolerohen, veçanërisht në zona të mbrojtura, ku çdo ndërhyrje cenon integritetin ekologjik dhe tërheqjen turistike të mjedisit.

Aksioni pritet të vijojë në ditët në vijim me inspektime të tjera, ndërsa strukturat vendore dhe ambientalistët po ndjekin me interes zhvillimet, në një zonë ku konflikti mes ruajtjes së natyrës dhe interesave ekonomike private ka qenë shpesh i pranishëm.