Një emigrant shqiptar, Gentian Hoti, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të mbajtur shtetësinë britanike pas një beteje ligjore që ka zgjatur plot 26 vjet.
Gentian Hoti, i lindur në Shqipëri, mbërriti në Britani në vitin 1999, kur ishte vetëm 15 vjeç. Ai kërkoi azil duke përdorur një identitet të rremë, duke pretenduar se ishte më i ri për një vit dhe se kishte lindur në Kosovë, jo në Shqipëri.
Në atë kohë, ai tha se kishte vuajtur nga autoritetet serbe në Kosovë dhe se ishte ndarë nga familja gjatë arratisjes. Kërkesa e tij për azil u refuzua, por autoritetet britanike i dhanë një leje të jashtëzakonshme qëndrimi deri në vitin 2003.
Në vitin 2004, Hoti mori leje të pacaktuar qëndrimi dhe një vit më vonë aplikoi për nënshtetësinë britanike, e cila iu miratua.
Megjithatë, në vitin 2010, Ministria e Brendshme e Britanisë (Home Office) nisi një hetim dhe në vitin 2013 shpalli se shtetësia e tij ishte “e pavlefshme” për shkak të mashtrimit të identitetit. Pas kësaj, në vitin 2019, autoritetet britanike vendosën t’ia heqin shtetësinë, duke argumentuar se Hoti kishte përdorur identitetin e rremë për çdo aplikim që kishte bërë që prej mbërritjes në Britani.
