Prej një jave, një nënë e re shqiptare është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë në qytetin italian të Trentos.

Floresha Prengu, 35 vjeçe, doli nga banesa e saj në mëngjesin e 22 tetorit për të shkuar në punë, por nuk u kthye më në shtëpi, ku e prisnin bashkëshorti dhe dy vajzat e saj të vogla.

Sipas mediave italiane, ajo pritej të kthehej në orën 17:00, por nuk u shfaq kurrë. Bashkëshorti, i shqetësuar nga mungesa e saj, njoftoi menjëherë policinë, duke ngritur alarmin për zhdukjen.

Menjëherë pas denoncimit, u organizuan operacione të gjera kërkimi në të gjithë zonën përreth lumit Adige, ku morën pjesë dhjetëra zjarrfikës dhe ekipe kërkimi, përfshirë patrulla lumi dhe një helikopter që monitoronte territorin nga ajri. Megjithatë, asnjë gjurmë e 35-vjeçares nuk është gjetur deri më sot.

Familjarët e saj kanë bërë thirrje publike për ndihmë:

“Ju lutemi, ndihmoni për të gjetur Floresha Prengun. Ajo është nënë e dy vajzave të vogla. Kushdo që e sheh ose di diçka, të kontaktojë menjëherë forcat e rendit ose të telefonojë në numrin 112.”

Floresha jetonte në Trento prej tre vitesh dhe punonte si pastruese në pallate banimi. Sipas të afërmve, ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kishte përjetuar një periudhë të vështirë pas vdekjes së babait, por nuk dihet nëse kjo lidhet me zhdukjen e saj.

Burri i saj, i tronditur dhe i dëshpëruar, ka paralajmëruar se mund t’i drejtohet edhe programit televiziv italian “Chi l’ha visto?” (Kush e ka parë?) për të kërkuar ndihmë në publik. Karabinierët e Trentos kanë aktivizuar planin provincial të kërkimit, ndërsa njoftimi për zhdukjen është shpërndarë në të gjitha prefekturat e Italisë, pasi ekziston mundësia që ajo të jetë larguar nga rajoni i Trentos.

Ngjarja ka tronditur edhe komunitetin shqiptar në Trento, i cili është mbledhur rreth familjes së saj për t’i ofruar ndihmë dhe mbështetje.