Janë zbardhur detaje të reja nga arratisja e 48-vjeçarit Daut Laze, lindur në Çorovodë dhe banues në Tiranë, natën e kaluar nga burgu i Shënkollit në Lezhë.

Mësohet se ai ishte arrestuar që prej 16 Nëntorit të vitit 2021 dhe ishte dënuar për dhunë në familje, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se më 4 nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”,

Burime bëjnë me dije se ai ishte shtruar në dhomën e mjekimeve të burgut të Shënkollit, ku dyshohet të ketë shfrytëzuar mundësinë për t’u arratisur. Nga hetimet paraprake, rezulton se ai ka kapërcyer murin në anën jugore të burgut dhe është arratisur.

Mungesa e tij në burg është konstatura mëngjesin e sotëm gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në burgun e Shënkollit në Lezhë.

“Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit.”, njoftoi sot Drejtoria e Përgjitshme e Burgjeve.

Dyshohet se Daut Laze vuan nga probleme të shëndetit mendor. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tij, teksa Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjithashtu, ka nisur një hetim dhe mbi rrethanat e plotë të arratisjes së tij nga burgu. Mësohet se në burgun e Shënkollit ka mbërritur dhe drejtori i Përgjitshëm i Burgjeve, Klevis Qose.