Nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mjekë, infermierë dhe stafin teknik të spitaleve, ai mbajti edhe një fjalim nga Onkologjiku, ku deklaroi se do të garantohen me buxhetin e ri të gjitha medikamentet për pacientët e sëmurë, si dhe rimbursimi i 400 mijë pacientëve.

“Do sigurojmë të gjithë sistemin Onkologjik me barna. Dhe kjo do bëhet me rrjetëzimin e sistemit në spitalet rajonale. Duke siguruar protokollet dhe të gjithë sigurimin me barna. Kemi vendosur në buxhet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë. Flasin njerëzit, por këto janë gjëra pjesë e këtij vizioni”, tha kryeministri mes të tjerash, duke shpjeguar programin e qeverisë për vitin e ardhshëm dhe atë çfarë garantohet me buxhet.

Por jo vetëm, ai nënvizoi se do vijojë ambicia për platformën e QSUT dhe Institutin Kombëtar të Tumoreve, sepse sëmundja e kancerit është kthyer në një problem ndërkombëtar tashmë, duke vrarë shumë njerëz në botë:

“Do vazhdojmë edhe me platformën e QSUT për të mbyllur ato që kanë mbetur pa mbyllur. Ambicia është Instituti Kombëtar i Tumoreve për të pasur edhe një rrjet kombëtar, sepse është bërë problem ndërkombëtar dhe jo vetëm kombëtar, sepse kanceri po vret kudo në botë”.

Kreu i qeverisë nuk harroi edhe bluzat e bardha, duke kujtuar se qeveria do rrisë edhe pagat e tyre, sikurse edhe indeksimin përkatës vjetor. Gjithashtu vëmendje i kushtoi edhe dixhitalizimit dhe modernizimit të mjekësisë, ku tha se do përdoret edhe Inteligjenca Artificiale në ndërhyrjet kirurgjikale.

“Do rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve. Do rriten 35 euro në muaj, do bëhet edhe indeksimi vjetor i pagës për mjekë, infermierë dhe teknikë, që do i shkojë plus asaj rritjes që folëm. Do rrisim dixhitalizimim dhe do fusim sa më shumë edhe Inteligjencën Artificiale për trajtimin e pacientëve dhe ndërhyrjet kirurgjikale të tyre”, u shpreh Rama.

Në fund, kreu i ekzekutivit bëri edhe një urim për bluzat e bardha dhe familjet e tyre, duke nënvizuar punën e vështirë me të cilën përballen dhe i mban larg të dashurve të tyre.

“Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen dhe mendoj se do bëjmë më të mirën për të ecur përpara dhe për shumicën kjo punë të jetë e prekshme ditë pas dite. Do e rrisim cilësisht shërbimin shëndetësor edhe vitin e ardhshëm nëpërmjet Urgjencës Kombëtare dhe në fund një urim për të gjitha familjet tuaja. Unë e kuptoj punën tuaj, por shumë të tjerë që i shikojnë punët tuaja nga larg, nuk i kuptojnë, sepse puna juaj merr shumë energji, jeni larg familjeve pjesën më të madhe të kohës dhe është punë e lodhshme. U mungoni prindërve dhe fëmijëve tuaj, ndaj unë uroj që të kenë shëndet dhe të jeni sa më të qetë e të gëzuar në këtë fundviti”, përfundoi kryeministri.