Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të dalë nga kafazi i qelqtë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore. Trupi gjykues, me kryesuese Saida Dollani, ka pranuar argumentet e paraqitura nga pala mbrojtëse, duke i hapur rrugë zhvillimit të seancave të ardhshme ku Meta do të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë dhe do të jetë në krah të avokatit të tij.

Vendimi është shpallur ditën e sotme dhe lidhet me mënyrën e qëndrimit të ish-presidentit gjatë procesit gjyqësor. Ndërkohë, në orën 15:30, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa tjetër e Ilir Metës, e cila lidhet me masën e sigurisë ndaj tij.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash