Avokati Kujtim Cakrani ka folur ditën e sotme në lidhje me çështjen e ngritur nga drejtësia ndaj ish-presidentit Ilir Meta, në emisionin “Breaking” në Top News. Cakrani tha se ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës që ishte avokat i Metës, madje sipas tij, nëse ish-presidenti lirohet një ditë, merita do të jetë vetëm e tija.

Nga ana tjetër, Cakrani tha se Meta është një i burgosur politik dhe ndaj tij nuk ka asnjë provë që vërteton se është përfshirë në korrupsion.

“Unë kam punuar me zotin Meta për disa muaj dhe kam bërë një punë të jashtëzakonshme. E kam gjetur në një situatë kritike, për shkak të procedurave dhe kam bërë punë të jashtëzakonshme, jo vetëm nga ana juridike, por dhe në pjesën e perceptimit publik të Metës. Dihet që ka një perceptim negativ për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e akuzuar. Unë e kam ndryshuar këtë gjë. Juristët që e njohin këtë punë dhe ju media e dini se sa unë kam punuar. E them me bindje të plotë se nëse Meta lirohet, është vetëm merita ime. Ai që e ka marrë çështjen e ka të shtuar rrugën. Meta është i burgosur politik, është e gjitha çështje politike. Nuk ka asnjë provë që e përfshin në korrupsion.”– tha Cakrani.

Kujtojmë se Ilir Meta njoftoi që nuk do vazhdonte më me Kujtim Cakranin si avokat mbrojtës, pasi sipas tij Cakrani ka dhe çështje të tjera ligjore me të cilat është i angazhuar dhe ishte pengesë. Sipas Metës, ai kishte nevojë për një avokat që të merrej vetëm me çështjen e tij, duke zgjedhur Bujar Mustën si përfaqësues ligjor.