Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes avokatit të tij Genci Gjokutaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs për të kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur ndaj tij. Vendimi i apeluar është ai i 19 nëntorit 2024, i cili kishte konfirmuar mbajtjen e tij në paraburgim.

Meta ndodhet në qeli ndërsa po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”.

Avokati Gjokutaj argumenton në rekursin e dorëzuar se masa “arrest në burg” është e pajustifikuar dhe kërkon lirimin e klientit të tij. Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, ndërsa hetimet për akuzat ndaj ish-presidentit vazhdojnë.