Gjykata Kushtetuese shqyrton sot në orën 11:00 ankimimin e ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili kërkon rrëzimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’.
Meta kërkon nga Kushtetuesja shfuqizimin e vendimeve të Shkallës së Parë të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë duke kërkuar kështu daljen nga paraburgimi.
Ilir Meta ndodhet i izoluar që prej tetorit të vitit 2024, pas akuzave për korrupsion, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie të ngritura ndaj tij nga SPAK.
Ndërkohë më datë 27 prill në orën 11:00 do të mbahet seanca e parë në themel në GJKKO për Metën dhe 4 të pandehurit e tjerë.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, ndërsa Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Ccoku formën e procedurës së shkurtuar. Mbi këtë kërkesë do të shprehet trupa gjykuese në themel, në rast se do pranohet ndarja e Kryemadhit dhe e Metës nga tre të pandehurit e tjerë, apo nëse ata do të gjykohen si grup.
