Ilir Meta tenton sërish të dalë nga paraburgimi. Pas një serie kërkesash të rrëzuara më herët në nivele të ndryshme të gjyqësorit, ish-Presidenti i Republikës i është drejtuar përsëri Gjykatës së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë.
Kërkesa e re tashmë është regjistruar në GJKKO. Përmes saj, Meta kërkon që masa “arrest në burg” të zëvendësohet me një masë më të lehtë sigurie.
Në argumentet e paraqitura, ish-kreu i shtetit pretendon se rrethanat që kanë justifikuar mbajtjen e tij në paraburgim nuk ekzistojnë më dhe, për këtë arsye, vijimi i qëndrimit në qeli nuk është më i nevojshëm.
Për kërkesën pritet të vendosë trupa gjykuese që po shqyrton në themel çështjen penale ndaj Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Seanca është planifikuar të zhvillohet të hënën, në orën 15:45.
Lëvizja e fundit ligjore vjen vetëm pak ditë pasi në Gjykatën e Lartë u regjistrua edhe një rekurs i paraqitur nga Meta. Në këtë rast, ai kundërshton vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit të Posaçëm, të cilat nuk pranuan kërkesën e mëparshme për zbutjen e masës së sigurisë.
Ish-Presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024. Ndaj tij po zhvillohet proces gjyqësor për akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.
