Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është nxjerrë sërish këtë të mërkurë nga ambientet e burgut “313” dhe është shoqëruar drejt nje hoteli në Tiranë, ku familja po pret ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Rexhep Metës, babait të tij.
Lëvizja e Metës është realizuar nën masa të rrepta sigurie dhe në shoqërimin e efektivëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Homazhet dhe pritja e ngushëllimeve kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe do të vijojnë gjatë gjithë ditës.
Një ditë më parë, Meta mori pjesë në ceremoninë mortore të zhvilluar në fshatin Çepan të Skraparit, ku familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit të ndjerit. Ajo ishte edhe dalja e parë e ish-presidentit nga qelia që prej arrestimit të tij.
Prania e Metës në ceremonitë mortore dhe në pritjen e ngushëllimeve është mundësuar nga autoritetet përkatëse, në përputhje me procedurat ligjore që zbatohen në raste të veçanta familjare.
