Djaloshi 18-vjeçar fiton medaljen e parë ndërkombëtare për çiklizmin shqiptar
Iltjan Nika ka shkruar emrin e tij në historinë e çiklizmit shqiptar, pasi djaloshi 18-vjeçar ka arritur të marrë medaljen e parë ndërkombëtare në këtë sport për flamurin kuqezi. Nika, i cili banon dhe garon në Itali, ka fituar medaljen e bronztë në garën e rrugës për të rinj në Kampionatin Botëror të Çiklizmit që po zhvillohet në Itali, duke u konfirmuar si një talent i jashtëzakonshëm i këtij sporti dhe duke merituar vlerësimin si surpriza e vërtetë e këtij aktiviteti.
Gara e djeshme, e cila zgjati 140 kilometra, u fitua nga holandezi Matiu Van Der Poel, i cili u shkëput në metrat e fundit për të prerë i vetëm finishin. Pas tij u zhvillua një sprint mes atyre që kishin mbajtur hapin e kreut dhe Nika arriti të rrëmbente vendin e tretë duke u renditur pas krahëve të danezit Mads Petersen, në një garë që zgjati më shumë se 3 orë e gjysmë.
Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për çiklizmin shqiptar dhe sidomos për Nikën, i cili është kthyer menjëherë në heroin e ditës në garën që zhvillohej nga Montekatini Terme në Firence, falë edhe interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve shqiptarë. Këta të fundit kanë qenë të shumtë pranë finishit, të bindur se Nika, i cili banon në një provincë të Pizës, jo shumë larg vendit ku u zhvillua gara, do të arrinte një rezultat historik.
“Jam krenar që kam fituar këtë medalje të parë për Shqipërinë, shpresoj që të jetë vetëm fillimi. Unë jetoj këtu afër, praktikisht po garoja në shtëpi. Mendova që të garoj me kokë, duke shfrytëzuar punën që bëjnë skuadrat e tjera”, tha djaloshi shqiptar, i cili prej disa vitesh është pjesë e skuadrës “Team Palma Ecologia Cipriani” në kampionatet italiane të moshave, ku ka arritur edhe suksese si fitorja në kupën “Ricami Pistoiesi”.
Në një periudhë ku i gjithë sporti shqiptar po kalon një krizë të thellë, iniciativa e djaloshit për të marrë pjesë në këtë aktivitet ka qenë thuajse krejtësisht personale, e mbështetur nga sponsorë italianë. Portali “cyclemagazine.it” i ka kushtuar një hapësirë të gjerë suksesit të Nikës, duke treguar historinë e çiklistit shqiptar, që në fakt kishte ëndërruar të bëhej futbollist. “Pastaj, rastësisht, një ditë më dhanë të provoja një biçikletë garash në Mançiano. Një rastësi, një provë që doli nga hiçi. Më lindi menjëherë pasioni për këtë sport që nuk e njihja, çiklizmin”, ka treguar vetë Nika. Pjesë e këtij suksesi i përket edhe dyshes Roberto dhe Françesko Frasi, baba e bir, të cilët kanë stërvitur për këtë aktivitet ekipin shqiptar të të rinjve, ku përveç Iltjan Nikës, merrnin pjesë në garë edhe Rudy Kopshti e Enio Rrucaj.