Pas shtyrjes së seancës në GJKKO, Monika Kryemadhi reagoi për mediat, duke sqaruar se gjatë fazës paraprake është vendosur që asaj t’i vihen në dispozicion materialet e ekspertimit të telefonit, si edhe përgjimet telefonike të administruara në dosje.

Sipas saj, kjo kërkesë është paraqitur edhe në seancë, ndërsa prokurori ka bërë me dije se dokumentacioni mund të merret drejtpërdrejt prej saj dhe jo përmes përfaqësuesit ligjor. Kryemadhi theksoi se këto materiale janë thelbësore për mbrojtjen e saj, pasi, sipas saj, akuzat janë ndërtuar mbi interpretime të pasakta.

Ajo u ndal veçanërisht te një komunikim i përdorur nga prokuroria si provë, duke pretenduar se ai është nxjerrë jashtë kontekstit. Kryemadhi shpjegoi se bëhet fjalë për një mesazh ku ajo shpreh interes për blerjen e një banese, por më pas ka ndryshuar mendje, duke shtuar se një situatë e tillë nuk mund të konsiderohet vepër penale.

Në vijim, ajo hodhi poshtë pretendimet që lidhen me një pronë të përfolur , duke deklaruar se objekti në fjalë nuk ekziston dhe se lidhja e tij me çështje të tjera ligjore është e pabazuar.

Kryemadhi e cilësoi të gjithë ndërtimin e akuzës si një përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë publik, duke këmbëngulur se faktet reale nuk mbështesin pretendimet e ngritura ndaj saj.