Aktorja Julia Ilirjani ka folur në një lidhje live për emisionin “Top Story” lidhur me videot intime që kanë qarkulluar në rrjet dhe aludimet që kanë përfshirë edhe emrin e saj.

Ilirjani tha se i vjen keq për personat që janë përfshirë në këtë histori, ndërsa u shpreh e tronditur edhe nga fakti që videot janë xhiruar.

“Më vjen shumë keq që ka njerëz që u prishin karrierën njerëzve që kanë punuar prej vitesh e vitesh. E kuptoj që kur je person publik do jesh në vëmendje si për mirë, si për keq. Por më shumë se me çfarë u ka ndodhur atyre zonjave, jam edhe më e shokuar për atë që ka xhiruar. Nëse e ka bërë vetë është edhe më e tmerrshme, dhe nëse ia kanë vënë kamerën është po prapë e tmerrshme”, u shpreh aktorja.

Ajo tregoi se kishte dëgjuar se edhe emri i saj ishte lakuar në lidhje me videot dhe se kishte marrë mesazhe nga persona që nuk i njihte.

“Dëgjova që ishte lakuar edhe emri im. Filluan të më dërgonin disa SMS në Instagram njerëz me zero folloë, pastaj ime bijë më tha: ‘Çfarë është kjo, pse po flasin për ty?’. Por i thashë: ‘Rri e qetë, figura ime nuk është aty’”, rrëfeu Ilirjani.

Aktorja shprehu keqardhje për gratë, emrat e të cilave janë përmendur në këtë histori, duke theksuar se bëhet fjalë për artiste që kanë dhënë kontribut në skenë.

“Ndjej keqardhje për ato zonja që u ka dalë emri. Në fund të ditës janë disa artiste që kohën e tyre të artë e kalojnë siç duan, por nuk janë në buxhetin e shtetit dhe në asgjë. Unë kam respekt për anën e tyre artistike, për një pjesë të atyre emrave që kanë dalë”, tha ajo.

Në vijim, Ilirjani ngriti edhe një tjetër hipotezë mbi publikimin e videove, duke e lidhur atë me zhvillimet e tjera në vend. Ajo tha se, sipas mendimit të saj, publikimi i tyre mund të ketë ndikuar në zhvendosjen e vëmendjes nga çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme.

“Mendoj se këto video janë hedhur për të hequr vëmendjen nga maskara e madhe që po ndodh në Shqipëri me fondet publike dhe hallkat e shtetit që është prishur e gjitha”, u shpreh aktorja.

Në fund, Ilirjani foli edhe për marrëdhëniet mes artistëve, duke theksuar se afërsia profesionale dhe emocionale mes tyre mund të ndikojë në mënyrën se si krijohen marrëdhëniet personale.

“Puna e artistit është pa emocionale dhe ndonjëherë kjo afërsia e madhe që kemi me njëri-tjetrin na bën ta duam njëri-tjetrin më shumë sesa si shokë.”

“Do doja shumë që ato zonja të bëhen bashkë dhe ta denoncojnë, që dhe njerëzit të mos mendojnë se në një botë demokratike mund të bëjnë çfarë të duan”, tha ajo.