Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike, ka reaguar pas një videomontazhi që e krahasonte atë me deputetin socialist Vullnet Sinaj, për shkak të ngjashmërisë fizike mes tyre.

Në një deklaratë për mediat, LaCivita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përhapjen e kësaj videoje, duke e cilësuar si “të fabrikuar” dhe si një përpjekje për të shmangur debatet reale.

“Videoja është ‘fake’, e fabrikuar nga vetë ‘fake-u’ Edi Rama. Ai është aq i dëshpëruar për të shmangur diskutimin mbi 12 vitet e tij të dështimeve ekonomike, sa i duhet të prodhojë apo të bëjë të tjerët të prodhojnë imitime të dobëta të mia,” deklaron LaCivita.

Ai shton se pavarësisht përpjekjeve për ta tallur, ai e konsideron veten “të paktën më të zgjuar se ky që mbështet një kryeministër dështak dhe bandit.”

Më tej, LaCivita thekson se qytetarët shqiptarë nuk janë të interesuar për lojëra politike, por kërkojnë zgjidhje konkrete për krizën ekonomike.

“Kjo sjellje e Ramës dhe njerëzve të tij është vetëm një tjetër dëshmi se vetëm Dr. Berisha ka aftësinë dhe stabilitetin për të zgjidhur problemet ekonomike të shqiptarëve,” përfundon reagimi i tij.