Aksioni i nisur prej javësh nga Bashkia e Tiranës, për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje, aktualisht po vijoi në zonën e Farkës.
Forca të shumta të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policisë Bashkiake rrethuan një kantier ndërtimi me objekte 2-3 katëshe, që rezultonte në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit. Aksioni u ndoq nga afër nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e IMT-së, Dallëndyshe Bici.
Nënkryetari Sula theksoi se subjekti në fjalë kishte tejkaluar totalisht lejen zhvillimore, duke paralajmëruar se Bashkia Tiranë do të vazhdojë me vendosmëri aksionin në mbrojtje të territorit.
“Bashkia Tiranë është e vendosur në mbrojtjen e territorit. Sot ishim në zonën e Farkës, ku një subjekt ka tejkaluar totalisht lejen e ndërtimit. Bashkia Tiranë ka evidentuar një listë me subjektet që në këtë zonë kanë shkelur ligjin dhe nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit”, theksoi ai.
Sula u bëri thirrje ndërtuesve dhe investitorëve të respektojnë rregullat urbanistike dhe ligjin, duke i paralajmëruar për pasojat që sjell ndërtimi pa leje.



