Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po zhvillohet sot seanca gjyqësore për inceneratorin e Tiranës.
Në seancë, avokati i ish-deputetit Alqi Bllako ka kërkuar shpalljen e tij si i pafajshëm. Nga ana tjetër, edhe vetë Bllako u deklaruar i pafajshëm, duke mohuar akuzat.
“Kam respekt dhe vlerësoj punën tuaj, por deklarohem i pafajshëm. Unë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit nuk kam patur asnjë rol për dhënien e koncesionit të inceneratorit” tha ai.
Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Bllakos dhe që të dënohet për veprën penale “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.
Bllako ka mbajtur postin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 2 raste, një pagese prej 120 mije eurosh nga kompania e Klodian Zotos për fabrikën e birrës së babait të ish-deputetit te PS dhe punësimi po nga biznesmeni Klodian Zoto si këshilltar i jashtëm i Vladimir Bezhanit me ndikim të Bllakos. SPAK kërkon për Alqi Bllakon dëmin me 5 vite burg dhe 5 vite qëndrim jashtë të gjitha funksioneve publike. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, nëse Bllako do shpallet fajtor, atij do t’i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 3 vite e 4 muaj burg.
Po për të njëjtën dosje, por mëvetësisht, po gjykohen edhe 9 persona të tjerë, përfshi ish-ministrin Lefter Koka, për të cilët SPAK në pretencën e 7 shkurtit kërkoi 26 vite burg në total. Për ish-ministrin u kërkuan 4 vite burgim.


