Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me një incident të ndodhur një ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku janë përfshirë dy punonjës të forcave të rendit një efektiv i Policisë së Shtetit dhe një punonjës i Gardës së Republikës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e paradites, në segmentin rrugor midis rrethit të “1 Majit” dhe atij të “Postës”. Efektivi Besmir Likaj, me detyrë Shef i Sektorit të Trafikut Urban dhe Interurban në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ndodhej në kryerje të patrullimit të zakonshëm në zonë, në kuadër të detyrës së tij funksionale.

Në afërsi të rrethit të “Postës”, ai është sinjalizuar nga një tjetër punonjës i strukturave shtetërore Mateo Ademi, efektiv i Gardës së Republikës dhe aktualisht shofer i një prokurori të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të ndalonte mjetin.

Detajet rreth shkakut të ndalimit dhe mënyrës si vijoi ndërveprimi mes palëve nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që Policia ka konfirmuar se incidenti është marrë në shqyrtim nga strukturat përkatëse.

“Po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes,” thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Pas ndalimit të mjetit, sipas Policisë, ka pasuar një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit ndaj oficerit të Policisë Rrugore. Më tej thuhet se Ademi dyshohet të ketë përdorur një fjalor kanosës, ndërsa mbante një armë zjarri e cila ishte e dukshme në brez, gjë që, sipas autoriteteve, ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe mundësinë e përshkallëzimit të situatës.

Sipas Policisë oficeri Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokuese, duke ruajtur profesionalizmin në përmbushje të detyrës.

Ngjarja po hetohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në dorë të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë deklaratat e palëve dhe materialet filmike.