Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Mamurras, ku një 23-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane mbeti i plagosur pas një shkëmbimi zjarri me policinë.

Sipas burimeve, në automjet me Leonard Demën ndodhej edhe Amadeo Fufi, djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.

Autoritetet bëjnë me dije se gjatë operacionit për arrestimin e Demës, në një karburant në aksin “Mamurras–Laç”, i riu ka tentuar të largohet duke rrezikuar efektivët me automjetin e tij. Ndërkohë, personi që e shoqëronte, Amadeo Fufi, dyshohet se u ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të policisë.

Në kushtet e ndërhyrjes dhe vetëmbrojtjes, efektivët kanë qëlluar duke plagosur Leonard Demën, i cili u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Amadeo Fufi është arrestuar nga forcat operacionale, ndërsa gjatë aksionit është sekuestruar edhe arma e zjarrit.

Policia dhe organet hetimore po vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.