Bujqësia intensive kërkon miliona fidane që të mbillen nga veriu në jug të Shqipërisë, sepse edhe ne po zgjerohemi drejt prodhimit në sera. Dikur këto fidane mbilleshin nga duart e punëtorëve tanë, ndërsa sot po mbillen e po rriten nga duart e indianëve.

“Emri im është Ashu. Para se të vija në Shqipëri, kam emigruar në Suedi. Atje vendi është më i zhvilluar, por njerëzit janë shumë të ashpër. Ndërsa këtu njerëzit janë tepër të dashur dhe kjo më bën të ndihem mirë”, tha ajo.

Një shtetas nga India thotë se, për të ardhur deri në Shqipëri, ka paguar 3000. Ai thotë se puna në bujqësi është një mundësi e artë, pasi, ndryshe nga vendi i tij i lindjes, që i jepte një pagë të vogël, këtu arrin të kursejë para që ia dërgon familjes për çdo muaj.

“Ne kemi paguar 3000 mijë euro për të ardhur. Paga jonë si punëtorë bujqësie shkon nga 500-600 euro, ku të përfshirë kemi edhe shtëpinë. Kurse në Indi merrja më pak para, diku tek 350 euro. Me kaq para sa marr këtu, mbaj veten dhe ndihmoj familjen time që kam lënë pas në Indi”, tha ai.

Shumë të rinj e kanë braktisur punën në bujqësi, pasi është punë e vështirë. Të punosh në sera kërkon sakrificë. Momentalisht, këtu termometri shënon 40 gradë Celsius dhe unë, ashtu si punëtorët, po djersisim nga kjo vapë e tmerrshme. Këta të ardhur, për prodhuesit, janë krah pune, ndërsa për ta bujqësia është puna.

“U bë 1 vit që jam në Shqipëri. Edhe në Indi kam qenë fermer, pasi familja ime ka parcela sheqeri, pra e di mirë se çfarë do të thotë të punosh në bujqësi”, tha ai.

“Kjo është familja ime tani, por, të them të vërtetën, më mungon nëna ime, familja, ushqimi, gjithçka. Emigrimi nuk është i lehtë për askënd”, tha ai.

Emigrantët që vijnë nga vendet e treta nuk janë të pashkolluar, e pavarësisht kësaj, ashtu si ne në 1990, kanë marrë rrugët e emigrimit për të qenë sa më afër Europës.

“Jam agronome në profesion dhe prandaj punën në këtë fidanishte e shoh si një mundësi për të zhvilluar profesionin tim. E zgjodha Shqipërinë, pasi e di që është një vend bujqësor dhe mund të krijoj një eksperiencë shumë të mirë këtu si specialiste bimësh”, tha ajo.

“Në Indi kam përfunduar studimet për menaxhim-biznes. Kam punuar atje në profesionin tim, por India është shumë e varfër dhe të jep pak mundësi”, tha ai.

Bujqësia është e vështirë, por të paguan më mirë.

Deri para 5 vitesh, bujqësia konsiderohej si krahu i djathtë i ekonomisë, duke kontribuar me 20% të PBB-së, ndërsa sot kontribuon 5% më pak. Kjo pasi bujqësia po braktiset nga të rinjtë. Biznesi po mundohet ta shpëtojë këtë sektor duke marrë punëtorë nga jashtë, por është e pamjaftueshme, sepse tokat duhet punuar, tregtuar e përpunuar.

Por, që bujqësia të rikthehet sërish në një histori suksesi, ka nevojë që të rinjtë tanë t’i kthehen sërish vendit të lindjes.

Top Channel