Kushëriri i Klement Bashës, infermierit 30-vjeçar që humbi jetën mëngjesin e djeshëm si pasojë e një aksidenti në Fier, tregoi se shkak ishte prania e ngricave në rrugë.

Në një lidhje me Skype për “Shqipëria Live”, ai tha se familja ka parë pamjet filmike nga një kraburant që ndodhej  në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti dhe se 30-vjeçari nuk po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe as nuk kishte bërë një parakalim të gabuar.

Sipas tij, ai kishte humbur kontrollin e mjetit si pasojë e ngricave në rrugë dhe përplasja rezultoi më pas fatale për të riun.

“Jemi shumë të revoltuar në lidhje me faktin se si funksion çdo gjë në këtë shtet. Nga të dhënat që kam, nga kamerat e sigurisë, në atë vend ka prurje të shumta uji. Në momentin që ai është aksidentuar, i ka dalë makina nga kontrolli sepse kishte ujë në rrugë dhe që kishte ngrirë nga moti i ftohtë.

Nuk ka qenë parakalim, por ka qenë një kthesë dhe në momentin që ka marrë kthesën Klementi, makina ka pësuar një shkarje dhe Klementi ka humbur kontrollin e mjetit. Shkak nuk ishte shpejtësia e lartë apo thyerja e rregullave rrugore. Shkak ka qenë ngrica në rrugë.

Ajo rrugë ishte vrasëse, Autoriteti Rrugor duhet ta shqyrtojë këtë çështje dhe të mos ja shtojë dhimbjen familjarëve duke i munduar ta ndjekin ën rrugë gjyqësore. Kemi parë një fragment të kamerave të një karburanti dhe makina po ecte kryq, ka humbur kontrollin, nuk ishte shpejtësi”, tha ai.