Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma vjetore e inflacionit u rrit nga 2.8% në prill në 3% në maj, duke reflektuar shtimin e presioneve mbi çmimet në ekonomi. Megjithëse krahasuar me muajin prill çmimet e konsumit shënuan një rënie të lehtë prej 0.04%, në bazë vjetore ato vijojnë të mbeten në rritje, të nxitura kryesisht nga kostot e transportit dhe strehimit.

Grupi me rritjen më të lartë të çmimeve rezultoi transporti, me 7.8% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, sigurimet dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me 4.9%, ndërsa grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” si dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” regjistruan rritje prej 4.2%. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 2.2% në krahasim me majin e vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në inflacionin total e dhanë qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera, me 0.84 pikë përqindje. Pas tyre renditen ushqimet dhe pijet joalkoolike me 0.76 pikë përqindje dhe transporti me 0.51 pikë përqindje. Edhe çmimet e ushqimeve vijojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare. Rritjen më të fortë e shënuan peshku dhe produktet e detit, me 9.2% më shumë krahasuar me një vit më parë. Më pas renditen mishi i freskët me 4.2%, frutat e freskëta dhe të thata me 3.9% dhe kafshët e gjalla e produktet e mishit me 3.6%.

Të dhënat konfirmojnë se ushqimet, qiratë dhe karburantet mbeten ndër faktorët kryesorë që po mbajnë lart nivelin e inflacionit në vend. Rritja e inflacionit në 3% vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë synon stabilizimin e tij pranë këtij niveli, duke e konsideruar atë të përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të ekonomisë.