Durrës – Trojet buzë detit dhe babëzia për t’i zotëruar e betonizuar ato vazhdojnë të prodhojnë konflikte. Një objekt banimi dhe shërbimi njëkatësh është prishur nga shërbimet e Inspektoratit Ndërtimor të Durrësit dhe atij të Tiranës, ndërkohë që një familje e tërë ka mbetur në qiell të hapur. Objekti njëkatësh që ndodhej në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, te “Brryli” ishte në proces legalizimi, ndërkohë që është në vazhdim edhe një proces gjyqësor për pretendimet ndaj tij.
Kundrejt vendimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Durrësit për prishjen e objektit, Gjykata e Durrësit pati vendosur të pranojë kërkesën për sigurimin e objektit, duke urdhëruar Inspektoratin e Durrësit të pezullojë prishjen deri në përfundim të shqyrtimit në themel të padisë me objekt anulimin e aktit administrativ të nxjerrë në shtator të vitit 2010 për prishjen e godinës, si objekt i paligjshëm, ndërkohë që muaj më parë, ALUIZNI kishte dhënë miratimin zyrtar për legalizim.
Ndonëse gjykata e ka shpallur relativisht të pavlefshëm aktin administrativ më 27 shtator 2010. Dy vjet më pas, objekti prishet pa njoftim paraprak, me orendi e pajisje brenda. Fadromat për hapjen e themeleve mbi rrënojat e objektit të prishur janë shfaqur menjëherë për të nisur punën. Pronarët e objektit kanë deklaruar se kanë bërë kallëzim penal dhe është bërë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për dhunë të ushtruar nga policia dhe inspektorët e ndërtimit ndaj bashkëshortit e babait të saj, gjatë përpjekjeve për të ndaluar prishjen e godinës.