Projektbuxheti për vitin 2027 vijon të shqyrtohet në komisionet parlamentare, ku institucionet po paraqesin nevojat dhe kërkesat e tyre financiare për vitin e ardhshëm.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, kërkoi rritjen e fondeve për institucionin, duke vënë theksin te përgatitjet për realizimin e Censit të Bujqësisë.

Sado bëri të ditur se INSTAT ka kërkuar një buxhet prej 2.3 miliardë lekësh, ndërsa në projektbuxhet është parashikuar financimi me 1.8 miliardë lekë. Sipas saj, mbetet një diferencë prej 530 milionë lekësh, e cila është ende e pambuluar.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve shtesë lidhet me organizimin e Censit të Bujqësisë. Për këtë proces, gjatë vitit 2027 janë planifikuar rreth 736 milionë lekë, ndërsa nevojiten investime në teknologji, pajisje teknike, infrastrukturë dhe rekrutimin e punonjësve.

Drejtoresha e INSTAT theksoi se rreth 25 milionë lekë kërkohen për staf shtesë dhe 35 milionë lekë për investime në infrastrukturë. Ajo nënvizoi gjithashtu se miratimi dhe alokimi në kohë i fondeve është thelbësor, pasi procedurat e prokurimit dhe rekrutimit kërkojnë një periudhë të konsiderueshme.

Sipas Sados, Censi nuk u realizua këtë vit për shkak të vonesave në miratimin e ligjit dhe sigurimin e financimit të nevojshëm. Përveç kësaj, INSTAT ka kërkuar fonde edhe për hapjen e 11 pozicioneve të reja të punës.

Kërkesa për më shumë financim u paraqit edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, ku kryetari Denar Biba evidentoi nevojën urgjente për sigurimin e një godine të re për institucionin.

Gjatë prezantimit të kërkesave buxhetore për vitin 2027, Biba theksoi se një tjetër prioritet është forcimi i kapaciteteve njerëzore, përmes krijimit të strukturave të reja organizative.

Konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës kërkon ngritjen e një Drejtorie Integrimi dhe një drejtorie të posaçme për hetimin. Sipas Bibës, këto struktura janë të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, si dhe për ushtrimin më efektiv të funksioneve të institucionit.