Siguria me koncesion


policia-rinas2-700x425Në Shqipëri operojnë më shumë se 200 shoqëri private të ruajtjes fizike, të cilat kanë të punësuar rreth 9 mijë persona. Për kryetarin e Unionit të policive private, Veli Myftari, ngjarja në Aeroportin e Rinasit kërkon një analizë të thellë duke përfshirë të gjithë aktorët. Ndonëse kompania ICTS zotëron një status të veçantë, Myftari citon ligjin e ri të vitit 2014 për shërbimin privat të sigurisë fizike. “Nuk mund të flitet për masa drastike vetëm me arrestimin e disa personave. Duhet të mbahet një qëndrim i fortë ndaj kompanisë që ka përgjegjësinë, deri në heqjen e licencës. Në ligjin e fundit të vitit 2014 thuhet se, në dy vërejtje që mund t’i bëhet një kompanie përkatëse duhet të përfshihet heqja e licencës”, deklaroi Myftari për TCH.


Por ligji ka dhe probleme. Kur kanë kaluar më shumë se 2 vite nga hartimi i tij, ende nuk ka dalë një akt normativ që i lejon policitë private t’i trajnojnë vetë punonjësit e tyre. “Po marr Akademinë e Sigurisë. Atje pati një ndërprerje të trajnimeve në një kohë të caktuar, sepse edhe ajo ka ngarkesën e vet. Ndaj të tjera kompani kanë përgatitur kushtet për të qenë gati, kanë bërë ambientet dhe personelin”, vijon Myftari.


Sipas tij, pas grabitjes së Rinasit, unioni i shoqërive private të ruajtjes fizike do të mblidhet së bashku me Komitetin e Sigurisë së Bankave për të marrë masat e nevojshme që ngjarje të tilla të rënda të mos përsëriten.