Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri. Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Duhet të them, së pari PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore. Është një standard i mirë europian që institucionet të kryejnë punën, në këtë rast SPAK duhet të kryejë punën e tij. Ne kemi thënë që institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK, por nuk është për PE që të ndërhyjë. Me këtë përbërje që ka do bëhen tentativat dhe vendimet e duhura që do merren në bazë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Mund t’ju them që PE ka ndodhur rregulloren e vetë. Nuk është momenti për të bërë komente. Shqipëria duhet të fuqizojë luftën ndaj korrupsionit”, u shpreh ai.

Schieder komentoi edhe protestat e dhunshme të Sali Berishës, duke thënë se nuk duhet të përdoren molotov, por të luftohet me argumente në skenën politike.  

“Së pari personi që i dha emri këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj kur vjen këtu dhe sheh një situatë më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë. E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Por të mos e dramatizojmë më shumë seç duhet. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”, tha Schieder.