Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi sot një vizitë në Njësinë e Radioterapisë në QSUT, ku u njoh nga afër me historinë e 10-vjeçarit Arsi, i diagnostikuar me limfomë Hodgkin në stadin IV, i cili përfundoi me sukses fazën e radioterapisë së konsolidimit.
Trajtimi u realizua me akseleratorin e tretë linear, në funksion që prej muajit maj 2026, ndërsa së shpejti shërbimit do t’i shtohen edhe akseleratori i katërt linear dhe brakiterapia, duke rritur më tej kapacitetet e trajtimit onkologjik në vend.
Gjatë vizitës, Sala vlerësoi punën e ekipeve multidisiplinare të përfshira në trajtimin e pacientëve onkologjikë dhe bashkëpunimin mes profesionistëve të shëndetësisë për ofrimin e një kujdesi të integruar dhe sipas standardeve bashkëkohore.
“Ky është rezultati i punës së një skuadre të tërë profesionistësh, që kanë bashkëpunuar në mënyrë të koordinuar për të garantuar trajtimin më të mirë për pacientin. Në këtë rast kemi një kombinim të trajtimit me kimioterapi dhe radioterapi, kjo e fundit realizuar me një aparaturë moderne, Akseleratorin e 3-të linear, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Aktualisht janë 3 akseleratorë funksionalë, së shpejti do të kemi dhe akseleratorin e katërt, dhe brakiterapinë, të cilat janë në proces”, u shpreh ministrja.
Ministrja theksoi se rasti i Arsit është një dëshmi konkrete e funksionimit të Institutit Kombëtar të Tumoreve, përmes koordinimit të strukturave dhe ekipeve të specializuara, nga onkohematologjia pediatrike dhe imazheria, te radioterapia dhe shërbimet e tjera mbështetëse, duke garantuar një qasje të integruar dhe multidisiplinare në trajtimin e pacientëve.

Ajo nënvizoi gjithashtu zgjerimin e aksesit në trajtimin onkologjik përmes funksionimit të pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale, një reformë që po afron shërbimin pranë pacientëve dhe lehtëson aksesin në trajtim, pa qenë e nevojshme që ata të udhëtojnë drejt Tiranës.
Historia e Arsit është dëshmi se investimet në teknologji, zbatimi i protokolleve ndërkombëtare dhe përkushtimi i ekipeve mjekësore sjellin rezultate konkrete, duke u dhënë më shumë shpresë pacientëve dhe familjeve të tyre.
Top Channel
