Aktiviteti
Instrumentistët e shkollës artistike ‘Jakov Xoxa’ të Fierit përvijojnë rrugëtimin e tyre të suksesit dhe këtë herë janë ndalur me një koncert në Elbasan! Është ky një këmbim mes shkollave artistike në vend dhe këtë herë ishte shkolla ‘Onufri’ e Elbasanit që mirëpriti koncertin e instrumentistëve të vegjël nga Fieri. Në koncert, nxënësit e shkollës së Fierit interpretuan në instrumente të ndryshme, pjesë nga autorë shqiptarë dhe të huaj, pjesë për piano, flaut, kitarë dhe violinë. Ndër instrumentistët e vegjël që interpretuan në koncert, spikat interpretimi i dy pianisteve Ergi dhe Lidia Cane. Ata janë vëlla e motër dhe interpretuan në pjesën më të madhe të koncertit. Organizatori i këtij koncerti është një ish-nxënës i shkollës artistike ‘Onufri’, aktualisht mësues violonçeli në shkollën artistike të Fierit. Ardit Cupa, i rikthyer në qytetin ku studioi, thekson se bashkëpunime të tilla ndihmojnë mësuesit dhe nxënësit për shkëmbimin e përvojave. Tani radhën e ka një tjetër koncert, ai i nxënësve të shkollës artistike ‘Onufri’ të Elbasanit në Fier, në shkollën e cila ndër vite ka formuar artistë të cilët sot interpretojnë në skenat prestigjioze të Europës.