Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se në total 347 persona janë lënduar gjatë protestave, mes tyre punonjës të Policisë së Shtetit, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.

Sipas ministrit, 200 prej të lënduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej të cilëve kanë marrë dëmtime të rënda, ndërsa 107 janë protestues.  Gjatë protestave ka pasur gjithashtu kalimtarë të lënduar, mes tyre edhe gazetarë që janë dëmtuar gjatë raportimit.

“Nuk dua të bëj diferencime. Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, deklaroi Demo.

Ministri i cilësoi këto shifra si një “këmbanë alarmi”, ndërsa theksoi se qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht dhe reagimi proporcional në rastet kur konstatohet dhunë.

Demo foli edhe për rastet kur punonjës të policisë dyshohet se kanë tejkaluar masën gjatë protestave. Sipas tij, 7 efektivë janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim për veprimet e tyre.

“Edhe në ato raste kur punonjës të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë vendime personale që kanë kaluar masën, Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë. Shtatë janë pezulluar dhe janë nën hetim për veprimet që kanë ndërmarrë”, tha Demo.

Ai shtoi se AMP po punon edhe për dhjetëra raste të referuara nga qytetarët dhe po bashkëpunon me Prokurorinë e Tiranës për hetimin e këtyre ngjarjeve. Sipas tij, kjo tregon angazhimin për transparencë dhe marrëdhënien që Policia e Shtetit ka me qytetarët.

Sipas ministrit, gjatë protestave është konstatuar dhunë jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj subjekteve private, institucioneve të pavarura dhe individëve që kanë qenë të pranishëm në protesta.

Demo foli gjithashtu për presionin ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit në media dhe rrjetet sociale. Ai tha se janë konstatuar kërcënime nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanale për identifikimin e punonjësve të policisë, si dhe thirrje për sulme ndaj tyre.

“Në total janë 347 të lënduar. Nuk dua të bëj diferencime. Ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. 200 prej tyre janë punonjës të Policisë së Shtetit, me lëndime të ndryshme, disa prej tyre shumë të rënda. 107 protestues të lënduar. Ka pasur të lënduar edhe kalimtarë. Këtu përfshihen edhe gazetarët që janë dëmtuar gjatë mbulimit të protestës. Këto shifra janë një këmbanë alarmi për ne, për sa i përket dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë gjatë menaxhimit të kësaj proteste. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është i qartë: garantojmë të drejtën kushtetuese për të protestuar paqësisht dhe proporcionalitetin e Policisë së Shtetit kur konstatohet dhunë”, tha ministri.

Ministri Ervin Demo ka deklaruar se 269 të mitur janë shoqëruar nga policia gjatë protestës, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre në tubime të tilla si një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në deklaratën e tij, Demo tha se të miturit janë vendosur në vijën e parë të dhunës, ndërsa personat që qëndronin pas tyre kanë qëndruar në prapavijë.

“I kanë vënë ata në vijën e parë të dhunës, duke qëndruar vetë përpara këtyre të miturve. Tregojnë qartazi se është shqetësues numri i të miturve që morën pjesë në protestë. Ka pasur 269 të shoqëruar, nën 18 vjeç. Është një fenomen të cilit duhet t’i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar, në mënyrë që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i javëve të fundit. Ka miratuar aktin e ri normativ, për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme“, tha ai.