Foto Ilustruese


Oficerët e kësaj strukture detyrohen të ekstradojnë të shumëkërkuarit me paratë e xhepit


Kriza ekonomike ka prekur aq shumë policinë shqiptare, saqë oficerët e Interpol-Tiranës detyrohen që me paratë e xhepit dhe jo të shtetit të ekstradojnë persona me rrezikshmëri të lartë dhe të shumëkërkuar nga drejtësia jonë. Ky fakt vërtetohet nga ankesat në Sindikatën e Policisë, ku anëtarët e saj shprehen se kanë rreth gjashtë muaj që nuk marrin dietat, ndërkohë që mësohet se policia u ka mbetur borxh edhe agjencive të udhëtimeve ajrore, pasi nuk kanë shlyer biletat për udhëtimet e oficerëve të Interpolit. Megjithatë, ata nuk janë të vetmit që nuk marrin dietat, pasi e njëjta situatë shfaqet edhe te forcat speciale të policisë, duke e nxjerrë edhe më në pah krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin.


Interpol


Sipas të dhënave, prej kohësh, oficerëve të Interpolit u është kërkuar që të kryejnë ekstradime të personave me rrezikshmëri të lartë me paratë e xhepit, pasi ato do u likuidohen nga Policia e Shtetit. Por, kur ata janë kthyer nga udhëtimet ajrore, bashkë me personat e dënuar nga drejtësia shqiptare, kanë hasur në pengesa për pagesat, që u detyrohet policia. Nga informacionet e mbledhura rezulton se atyre u është dhënë përgjigje se nuk ka fonde dhe sapo të lëvrohen, do u bëhet pagesa. Megjithatë, sot kanë kaluar gjashtë muaj dhe ka oficerë që ende nuk kanë marrë paratë e dietave për këto udhëtime. Ky shqetësim është ngritur dje edhe nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, i cili ka vënë në dukje edhe borxhet e tjera që policia dhe shteti shqiptar u ka punonjësve të policisë.


FNSH


Sipas tij, që më 15 dhjetor të vitit 2011, asnjë punonjësi të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nuk i janë likuiduar dietat për shërbimet e kryera gjatë kryerjes së detyrës. Aktualisht, Policia e Shtetit i ka borxh çdo punonjësi të FNSH-së vlera të konsiderueshme parash, që variojnë nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë të reja, që në fund të këtij viti i mungojnë buxhetit familjar të këtyre efektivëve. “Ne kërkojmë nga strukturat shtetërore që urgjentisht të bëhet likuidimi i borxheve ndaj punonjësve të policisë”, është shprehur kryetari i sindikatës.


Shpërblimi


Sipas Fishtës, një tjetër çështje, që ende nuk ka gjetur zgjidhje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është mungesa e fondit për dhënien e shpërblimit të fundvitit për çdo punonjës policie, siç parashikohet në Ligjin për Policinë e Shtetit, ku thuhet shprehimisht se “punonjësit e policisë përfitojnë çdo vit, në fund të vitit financiar, një shpërblim deri në një pagë mujore”. Por, qeveria shqiptare është mjaftuar, duke dhënë vetëm një shpërblim prej 10 mijë lekësh, të akorduar me Vendim të Këshillit të Ministrave për të gjithë administratën shtetërore.


Vjetërsia


Ndërkaq, që nga viti 2008, Policisë së Shtetit i është mohuar edhe pagesa për një vakt ushqim për çdo punonjës, që përfitohet me VKM dhe dy urdhra të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Shëndetësisë. “Për të dyja këto çështje, ne i jemi drejtuar, respektivisht për vjetërsinë në punë, Gjykatës Kushtetuese, me qëllim rrëzimin e këtij vendimi absurd dhe për detyrimin për një vakt ushqim, Gjykatës së Tiranës për të njohur borxhin e akumuluar ndaj punonjësve të policisë në katër vjet dhe detyrimin e shtetit për të zbatuar në vazhdimësi vendimin e miratuar nga vetë qeveria aktuale”, përfundoi Fishta. Red. Akt.


Sindikata tha se edhe FNSH-ja ka që nga muaji dhjetor i vitit 2011 që nuk ka përfituar asnjë dietë