Rritja e tyre, “peng” në Ministrinë e Punës. Institucionet nuk kanë bërë indeksimin e inflacionit
Personave me aftësi të kufizuara u mbahet çdo muaj komision bankar ose postar
Lorina Mixha
Pensionistët, mësuesit dhe mjekët prej tre muajsh kanë marrë shtesën mbi pagesën e tyre mujore në bazë të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që personat me aftësi të kufizuara, invalidë, para e tetraplegjikë dhe të verbër ende nuk kanë marrë shtesën në bazë të një VKM-je, e cila autorizon autoritetet, Ministrinë e Punës, të realizojë indeksimin e inflacionit në pagesën e aftësisë së kufizuar. Ndërsa rritja e pagesave të kategorive të tjera bëhet me përqindje, për invalidët qeveria vendosi që rritja të bëhet në bazë të indeksimit të inflacionit. Kështu rritja është gati e papërfillshme, por sado të jetë shuma, përsëri është ndihmë për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.
Inflacioni aktualisht llogaritet të jetë në 2.3 për qind. Rritja për secilën pagesë llogaritet 2.3 për qind mbi shumën e përmuajshme. Sipas Këshillit Kombëtar të PAK, indeksimi i inflacionit nuk është bërë ende, problemet me rimbursimin e energjisë elektrike dhe telefonisë vijojnë të shqetësojnë familjet ku ka një anëtar invalid, apo për më keq një kryefamiljar, person me aftësi të kufizuar.
Për t’u mos u mjaftuar me kaq, nga pagesa e tyre që shteti u jep në muaj, invalidët asnjëherë nuk e marrin të plotë, pasi janë të detyruar që të paguajnë edhe komisionin bankar si pjesë e procedurës për të tërhequr paratë e përmuajshme, e parimbursuar nga legjislacioni në fuqi.
Në Burrel, për shumë kohë madje, dy institucione, banka dhe posta kanë qenë në mosmarrëveshje, pasi të dy kërkonin të merrnin ekskluzivitetin e shpërndarjes së parave të personave me aftësi të kufizuara, pikërisht për përfitimin e komisionit të shërbimit nga secili prej tyre. Problemi është konfirmuar nga Këshilli Kombëtar i PAK, i cili ka sqaruar zyrtarisht se komisioni bankar tanimë mbahet, për shkak se të gjitha pagesat dhe veprimet janë të autorizuara të kalojnë nëpërmjet bankës.
Sipas juristëve të Shoqatës Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ky vendim është i paligjshëm, sepse nuk ka parashikuar shtrirjen e efekteve të rimbursimit nga data që ligji ka hyrë në fuqi, duke lënë zbuluar rimbursimin për këta njerëz nga muaji maj deri në shtator.
Ndërkohë që vendimi për rimbursimet është diskriminues dhe antiligjor, pasi u ka mohuar të drejtën u që njohin ndryshimet e fundit ligjore të verbërve të grupit të dytë për rimbursimin e kostos së telefonisë fikse.
“Këshilli Kombëtar i PAK i bën thirrje ministrit të Punës që t’i propozojë qeverisë indeksimin e inflacionit në pagesën e aftësisë së kufizuar si një detyrim ligjor të njohur nga vetë qeveria, bazuar në VKM 602.603.604 dt. 27.07.2010. Sot pagesa në terma reale e aftësisë së kufizuar është më e vogël se sa një vit më parë, duke zbritur përqindjen e inflacionit”, sqaroi zyrtarisht përfaqësia e invalidëve shqiptarë.
Këshilli Kombëtar i PAK i ka kërkuar nga muaji gusht e në vazhdim qeverisë që të përcaktojë minimumin jetik dhe të garantojë daljen e një herë e përgjithmonë nga regjimi i urisë për personat me aftësi të kufizuara.
Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara ka shprehur shqetësim të thellë për radikalizimin e politikave sociale në dëm të personave me aftësi të kufizuara. Vendimi i fundit për rimbursimin e energjisë elektrike dhe telefonisë fikse tejkalon parashikimet negative të këtij komuniteti. Ka qenë e papritur përjashtimi i tyre si përfitues nga grupi i qytetarëve normalë në nevojë për rimbursimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Rimbursimet
Energjia elektrike – Që nga viti 2006, të gjithë qytetarët shqiptarë në nevojë, përfshirë edhe ata buxhetorë me pagë deri 35000 mijë lekë bruto në muaj, përfitojnë rimbursimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, 640 lekë në muaj
Surpriza – Sipas këshillit kombëtar të PAL, ka qenë surprizë për invalidët përgjysmimi i rimbursimit të telefonisë fikse nga 2000 mijë lekë në 1000 mijë lekë