Të verbrit: Mungesa e fondeve është justifikim. Po blejmë ushqime me listë, fëmijët na kërkojnë lodra
Nuk ka gjë më të rëndë për një prind, se sa kur fëmija kërkon të hajë dhe nuk ke çfarë t’i japësh
Deklarata – Ne kemi 3 muaj pa marrë pagesën për shkak të verbërisë. Justifikimi është për mungesë fondesh. Është tepër e vështirë të përballohet jetesa pa para, thjesht duke marrë ushqime nëpër dyqane
Problemi – Shqetësimi i mosrealizimit të pagesave, për shkak të aftësisë së kufizuar, është i përhershëm dhe prej shumë vitesh, pasi buxheti i shtetit ka shtyrë në borxh nga viti në vit dy muajt e fundit, sidomos muajin dhjetor
Personat me aftësi të kufizuara nuk e kanë marrë pagesën e invaliditetit prej 3 muajsh. Shqetësimi ngrihet në Ditën Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar. Personat me aftësi të kufizuar ndihen të diskriminuar në raport me të tjerët, për shkak se me paratë e tyre abuzohet lehtësisht sa herë që të mëdhenjve u jepet mundësia. Në këto kushte, kur nuk u jepet as pagesa për shkak të statusit të paaftësisë, ata janë detyruar që ushqimet t’i marrin me listë tek ushqimoret në lagjet ku jetojnë.
“Nuk ka gjë më të rëndë për një prind, se sa kur fëmija kërkon të hajë dhe nuk ke çfarë t’i japësh, kur fëmija kërkon një rrobë a një lodër dhe nuk ke mundësi t’ia blesh. Ne kemi 3 muaj pa marrë pagesën për shkak të verbërisë. Justifikimi është për mungesë fondesh. Është tepër e vështirë të përballohet jetesa pa para, thjesht duke marrë ushqime nëpër dyqane”, tha Agron Hatia, person me paaftësi. Të vënë përballë kësaj situate që ka vështirësuar jetesën e tyre për dy muaj, reagon edhe kryetari i Këshillit të Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj. Ai i bën thirrje qeverisë të marrë masat për sigurimin e pagesës së aftësisë së kufizuar, ndërsa thekson rëndësinë e përfshirjes së pensionit jo kontributiv në skemë.
“Shqetësimi i mosrealizimit të pagesave, për shkak të aftësisë së kufizuar, është i përhershëm dhe prej shumë vitesh, pasi buxheti i shtetit ka shtyrë në borxh nga viti në vit dy muajt e fundit, sidomos muajin dhjetor. Çelja e buxhetit nuk është bërë e plotë, por në një përqindje të caktuar, sipas bashkive e komunave dhe në të vërtetë shumë nga njerëzit tanë nuk kanë marrë pagesën e verbërisë ose pagesën shoqëruese dhe ka ardhur koha që shteti shqiptar duhet të fusë një skemë të re sociale, siç është pensioni jo kontributiv, për ata të cilët nuk punojnë dot”, sqaroi Tafaj. Në takimin e zhvilluar dje, në kuadër të ditës ndërkombëtare të paaftësisë, i pranishëm ishte edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili mohoi se ka pasur vonesa në pagesë. E ndërsa personat me paaftësi thonë se nuk janë paguar, Ksera jo vetëm që nuk pranon se ka pasur abuzime, por përmend arritjet e këtij institucioni për këtë kategori personash. Në fjalën e tij ai ironizon rolin e Avokatit të Popullit, i cili e ka kritikuar shpeshherë funksionin e Ministrisë së Punës për mungesën e vëmendjes ndaj personave me aftësi të kufizuar. Nga ana tjetër, Avokati i Popullit tha: “Institucioni i Avokatit të Popullit ka vetëm një qëllim dhe ky është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve. Jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe qëllimi ynë është vetëm të mbrojmë të drejtat, të përmirësojmë standardin e jetesës së aftësisë së kufizuar, por edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. Shpresa Mezini
Durrës
Invalidët, pagesat i marrin me vonesë. “Jemi kryefamiljarë”
Strehimi dhe vonesat në marrjen e pagesave të invaliditetit mbeten shqetësimet bazë të personave me aftësi të kufizuara në Durrës. Ndonëse pagesa mujore është modeste dhe nuk mund të përballojë të gjitha nevojat kryesore, ajo konsiderohet e domosdoshme për invalidët si i vetmi burim të ardhurash.
Edhe këtë vit, dita botërore kushtuar personave me aftësi të kufizuara i ka gjetur ata në të njëjtat kushte dhe prandaj janë mbledhur para bashkisë së qytetit për të kërkuar vëmendje dhe ndihmë. Përfaqësues të invalidëve të punës, të verbërve dhe paraplegjikëve, janë pritur nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, që u ka ofruar mbështetjen në zgjidhjen e një pjese të problemeve që ata kanë. Genc Domi, i Shoqatës së Invalidëve të Punës dhe Myzejen Xheka e Shoqatës së të Verbërve, kanë bërë të ditur një sërë vështirësish me të cilat përballen këta persona në jetën e përditshme dhe mënyrën sesi trajtohen në shoqëri. Përpos problemeve ekonomiko-sociale të shkaktuara nga vonesat në pagesat mujore të invaliditetit, si dhe faktin që një pjesë e tyre janë të pastrehë, personat me aftësi të kufizuara, me gjithë bazën ekzistuese ligjore që i favorizon dhe projektet që ndërmerren nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, e kanë thuajse të pamundur të integrohen në tregun e punës për të siguruar më shumë mundësi për veten dhe familjet e tyre.
V. Q.