Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pas investigimit të bërë nga emisioni “Fiks Fare” për ish-zv. Kryeministren Belinda Ballukun, ku drejtorë të ministrisë së Infrastrukturës pohojnë se “shefja” në të vërtetë vijon të jetë ajo, edhe pse nuk e mban më këtë detyrë dhe funksion.

Bardhi ka akuzuar ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku se vijon të ketë ndikim në vendimmarrjen e ministrisë dhe institucioneve të saj të varësisë, pavarësisht hetimit të SPAK.

Në reagimin e tij, Bardhi ka kërkuar nga SPAK zbatimin e ligjit dhe të të njëjtit standard për të gjithë, duke iu referuar hetimit ndaj Ballukut dhe akuzave që, sipas tij, rëndojnë ndaj saj.

Ai ka kritikuar gjithashtu faktin që Balluku vijon të jetë e lirë, duke e lidhur këtë me standardin e ndjekur më herët nga drejtësia.

Reagimi i Plotë:

Dje, një investigim i emisionit “Fiks Fare” nxori sheshit atë që të gjithë e dinin. Belinda Balluku, për shkak se ka marrë peng Edi Ramën, vazhdon të qeverisë de facto Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e saj të varësisë. Ajo vazhdon të vendosë kush punësohet, kush fiton tendera dhe kur jepen koncesione.

Shefja e Ramës dhe Karakaçit, Belinda Balluku, nuk duhet të ishte duke shkuar në palestër, por pas hekurave.

Për fat të keq, edhe pse SPAK-u ka 20 ditë që ka bërë publike të dhëna të reja për marrjen e saj nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ende nuk ka zbatuar ligjin për burgosjen e saj. Është e paimagjinueshme për një shtet ligjor që një person me 14 akuza penale të shëtisë lirshëm dhe madje të gjejë kohë edhe për palestër.

SPAK-u duhet të zbatojë ligjin. SPAK-u duhet të zbatojë standardin që vetë vendosi në dhjetor 2025. SPAK-u nuk mund t’u thotë shqiptarëve se, kur ndaj Belinda Ballukut rëndojnë 6 akuza, ajo duhet të shkojë në burg, ndërsa kur rëndojnë 14 akuza, duhet të shkojë në palestër. Kjo është thjesht e papranueshme!

Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Shqiptarët meritojnë një drejtësi që nuk njeh të paprekshëm. Opozita kërkon vetëm një gjë: zbatimin e ligjit, me të njëjtin standard për këdo, pa përjashtim. Sepse në një shtet ligjor, pushteti nuk duhet të jetë mburojë dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.