Shërbimi onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë këtë vit do të riorganizohet plotësisht.
Ministrja e Shëndetësisë e deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ku tha gjithashtu se bordi i tumoreve në QSUT në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano ka miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi. Ndërkohë do të shtohen pajisjet per zbulimin dhe trajtimin e kancerit.
“Ardhja e akseleratorit të tretë, i cili është instaluar, po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë e do nisë së shpejti funksionimin. Përditësimi i 2 softëer të dy akseleratorëve ekzistues, që i ngre në një nivel shumë të lartë teknik për trajtimin e pacientëve. Trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të PET scan. Ndërkohë, problem ekzistues është aparatura e Brakiterapisë, e cila brenda vitit do të instalohet e re dhe do të vihet në punë falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike,” tha ajo.
Ndërkohë rreth 15 milion euro i janë shtuar buxhetit për barnat këtë vit dhe sipas ministres do të shkojnë në tre drejtime:
“Shtimi i barnave inovatore në listën e rimbursimit, duke garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike. Rritja e sasive të barnave ekzistuese në listë, për të shmangur mungesat e herëpashershme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në vijimësinë e trajtimit. Hapja e kufizimeve në FSDKSH për disa patologji onkologjike, duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skemën e rimbursimit,” shtoi ministrja.
Ministrja e Shendetësisë tha se është ngritur grupi i punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale. Ndërkohe një ditë më parë QSUT miratoi ngritjen e qendrës së gjirit për trajtimin e pacienteve të prekura nga kanceri.
