Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbrojtur në Kuvend rëndësinë e investimeve të huaja, duke akuzuar qeverinë se po krijon klimë që dekurajon investitorët ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Berisha deklaroi se prej 13 vitesh Shqipëria nuk ka tërhequr investitorë të rinj të huaj dhe se asnjë tender nuk është fituar nga kompani europiane.
“Investitori i vetëm në 13 vite, i huaj, si ta largojmë edhe atë nga Shqipëria. Trembëdhjetë vite nuk ka asnjë investitor të huaj në tokën shqiptare. Trembëdhjetë vite asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, investimet e huaja janë jetike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe çdo përpjekje që, sipas tij, dëmton klimën e biznesit rrezikon të largojë edhe investitorët e mbetur.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja kanë rëndësi jetike për Shqipërinë. Ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri”, deklaroi lideri demokrat gjatë debatit në Kuvend.
